Shkup, 28 korrik, Zhurnal.mk – Ministria e Shëndetësisë ka vendosur mbikëqyrje të shtuar epidemiologjike në Gostivar pas epidemisë së sëmundjeve gastrointestinale, ndërsa paralelisht ka njoftuar për monitorim intensiv të sëmundjeve që transmetohen nga vektorët në gjithë vendin.
Ministri i Shëndetësisë informoi se sot në Gostivar janë regjistruar 109 kontakte të para, ndërsa gjatë katër ditëve të fundit numri ditor është luhatur mes 80 dhe 125. Deri tani janë evidentuar 869 paraqitje zyrtare, ndërsa janë kryer anketa epidemiologjike me 622 persona.
Sipas rekomandimit të Komisionit për Sëmundje Infektive, të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe mjekët amë do të marrin udhëzime për monitorim të shtuar të mundësisë së paraqitjes së hepatitit A, hepatitit E dhe sëmundjeve të tjera infektive që mund të shfaqen pas përfundimit të epidemisë.
Ndërkohë, Ministria po kryen analizë të detajuar të rrjedhës së epidemisë, duke përdorur të dhënat nga sistemi i raportimit të detyrueshëm të sëmundjeve infektive dhe platforma “Termini Im”, me qëllim identifikimin e përmirësimeve në sistemin e zbulimit të hershëm dhe reagimit.
Monitorim i sëmundjeve vektoriale
Në konferencën e sotme u prezantua edhe gjendja me sëmundjet që transmetohen nga vektorët. Nën mbikëqyrje të shtuar janë:
malarja,
dengue,
zika,
ethe të Nilit Perëndimor.
Këtë vit janë konfirmuar katër raste të malaries te persona që kanë udhëtuar në Zanzibar dhe Maldive. Janë regjistruar edhe tre raste të dengës dhe një rast i zika‑s, gjithashtu të lidhura me udhëtime në Maldive. Të gjithë pacientët janë të rritur dhe me sëmundje shoqëruese.
Sa i përket etheve të Nilit Perëndimor, deri tani janë regjistruar tetë raste, prej të cilave dy në qershor, kryesisht te pacientë të moshuar me komorbiditete.
Rekomandime për udhëtarët dhe mjekët amë
Ministria apelon që qytetarët që udhëtojnë në vende tropikale të respektojnë rekomandimet për vaksinim dhe profilaksi, ndërsa mjekët amë do të marrin udhëzime që gjatë vizitave të pacientëve të marrin parasysh historinë e udhëtimit.
Kontroll i drezinsekcionit në komunat
Në koordinim me Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, do të kryhet kontroll i zbatimit të drezinsekcionit në komunat, si masë për uljen e rrezikut nga përhapja e sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat.

