Shkup, 10 gusht, Zhurnal.mk – Studentët shqiptarë sërish kanë riaktivizuar kërkesën që provimin e jurisprudencës ta japin edhe në gjuhën shqipe. Ministri i ri i drejtësisë Jeton Shasivari, ka bërë një muaj që është ulur në këtë karrige dhe studentët i kanë dhënë mjaftueshëm kohë që ai të ambientohet në zyrëne re. Prandaj, nëse deri dje ishte pengesë për zhvillimin e këtij provimi ministri Filkov, tani është shansi që ministri Shasivari ta zgjidhë çështjen e provimeve në gjuhën shqipe, shkruan “Zhurnal.mk”.
Studentët ridërgojnë kërkesën për provimin në gjuhën shqipe
Parlamenti Studentor i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) i është drejtuar sërish Ministrisë së Drejtësisë, duke dorëzuar një kërkesë zyrtare për zhvillimin e Provimit të Jurisprudencës dhe provimeve të tjera profesionale edhe në gjuhën shqipe.
Kërkesa i është dorëzuar ministrit të ri të Drejtësisë. Studentët shprehen se presin që ai ta vendosë këtë çështje ndër prioritetet e tij dhe të ndërmarrë masa konkrete për zgjidhjen e saj.
“Në emër të Parlamentit Studentor të Universitetit të Evropës Juglindore, sot iu dorëzua ministrit të ri të Drejtësisë kërkesa që Provimi i Jurisprudencës dhe provimet e tjera profesionale të mund të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe. Me marrjen e detyrës së re, shpresojmë që ministri t’i kushtojë vëmendjen e nevojshme kësaj çështjeje dhe të ndërmarrë hapa konkretë për një zgjidhje të drejtë”, thuhet në reagimin e studentëve, shkruan “Zhurnal.mk”.
Ministri tani e ka momentin ta dëshmojë fuqinë e tij!
Ardhja e një drejtuesi të ri në ministri nuk duhet të ngjallë eufori të pajustifikuar. Studentët dhe opinioni i matin udhëheqësit institucionalë nga veprimet dhe vendimet e tyre konkrete, jo nga pozicioni që mbajnë apo origjina e tyre.
Kur studentët u mobiliziuan dhe bënë protesta gjatë periudhës kur Igor Filkov drejtonte ministrinë, hasën në një bllokim dhe injorim total nga ai ministër. Mandati i atij ish-ministri do të mbahet mend për premtimet e pambajtura dhe mungesën e gatishmërisë për të korrigjuar një padrejtësi që dëmton drejtpërdrejt studentët dhe marrëdhënien e tyre me shtetin.
Tani, ministri i ri, ish profesori Jeton Shasivari, e mori përkrahjen e politikës, si njeri profesionist se do të zgjidhë këto çështje. Deri tani nuk ka pasur ndonjë deklaratë se ai do të bëjë diçka, por koha që të akomodohet në zyrën e re tashmë ka përfunduar.
Ministri Jeton Shasivari e ka momentin që të rikthejë besimin e të rinjve, jo veç me fjalë, por me vepra të vërteta.
Studentët nuk po kërkojnë favore të veçanta dhe diçka që është e kundërligjshme. Ata po kërkojnë trajtim të barabartë para ligjit, vlerësim të aftësive reale dhe një sistem që nuk i përjashton qytetarët për shkak të gjuhës, shkruan “Zhurnal.mk”.
Ligji ekziston, vetëm të zbatohet!
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është një realitet ekzistues dhe nuk ka vend për shpjegime apo justifikime të reja, ajo që mungon është thjesht zbatimi i tij.
Studentët janë kapitali më i vlefshëm i një vendi dhe se çdo arritje kombëtare buron nga sallat e leksioneve të universiteteve, ndërkaq harmonia shoqërore ndërtohet mbi drejtësi dhe barazi të prekshme, jo mbi retorikë politike.
Nëse ministri Jeton Shasivari arrin ta korrigjojë këtë padrejtësi, do të njihet si ministri që e vuri ligjin para llogaritjeve politike. Përndryshe, do të mbetet vetëm një emër tjetër në radhën e atyre që nuk arritën ta zgjidhin këtë nyjë.
Partia shqiptare në pushtet premoti se provimi i jurisprudencës bashkë me të gjitha provimet tjera profesionale do të mbahet në gjuhën shqipe. Ndoshta një prej arsyeve kryesore pse u mor ministria e drejtësisë ishte edhe zgjidhja e kjo çështje. Deri tani nuk kemi ndonjë lëvizje konkrete të cilën e di opinion.
Ministri Shasivari tani e ka momentin historik që ta mbyllë këtë çështje dhe të dëshmojë se funksionon ligji dhe shteti nuk duhet të funksionojë sipas tekeve të individëve. Shqiptarët nuk duhet të heqin dorë nga përpjekjet për të mbrojtur të drejtën, meritokracinë dhe dinjitetin e tij, derisa kërkesa që provimi i Jurisprudencës bashkë me provimet tjera të mbahet në gjuhën shqipe, shkruan “Zhurnal.mk”.

