Tiranë, 12 gusht, Zhurnal.mk – Gjatë 24 orëve të fundit, situata e zjarreve në Krujë ka qenë më e normalizuar, pasi dy vatrat e mëdha në Halil dhe Krastë u shuan mëngjesin e djeshëm, falë ndërhyrjes së koordinuar nga ajri dhe toka.
Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi tha sot se gjatë ditës së djeshme në terren vijuan ndërhyrjet e efektivëve të Forcave të Armatosura, Zonave të Mbrojtura dhe Emergjencave Civile, ndërsa zona mbetet në monitorim të vazhdueshëm për çdo vatër të mundshme.
Në Abaze, ekipet e Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit kanë qenë në gatishmëri të plotë, së bashku me ndihmën e jashtëzakonshme të komunitetit të zonës.
Sipas Bushit, për shkak të riaktivizimit herë pas here të vatrave, monitorimi ka qenë i pandërprerë.
“Që prej mëngjesit të sotëm, situata është përkeqësuar dhe aktualisht po ndërhyhet edhe nga ajri me dy helikopterë. Ndërkohë, janë evidentuar edhe disa vatra të tjera më të vogla në zona të tjera të bashkisë Krujë, të cilat kanë qenë më të aksesueshme për ekipet zjarrfikëse dhe janë shuar”, tha Bushi.
Kryebashkiaku Bushi tha se të gjithë strukturat janë në gatishmëri dhe në terren, për ta kaluar edhe këtë betejë të fortë me flakët.

