Tiranë, 21 gusht Zhurnal.mk – 61 milionë euro është fondi që Shqipëria pritet të përfitojë nga Bashkimi Evropian, pasi ka përmbushur masat e përcaktuara në fushën e energjisë në kuadër të Planit të Rritjes dhe Axhendës së Reformave.
Sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, detyrimet janë përmbushur brenda afatit të 30 qershorit dhe lidhen kryesisht me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.
“Reformat në sektorin e energjisë po japin rezultate konkrete. Nga modernizimi i kuadrit ligjor dhe përafrimi me standardet e BE-së, te energjia e rinovueshme, ulja e varfërisë energjetike dhe komunitetet e energjisë, kemi bërë hapa të rëndësishëm drejt një sektori më modern dhe më të qëndrueshëm. Mbi të gjitha, kemi arritur përpara afatit objektivin për mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Këto rezultate i hapin rrugën edhe disbursimit të 61 milionë eurove* në kuadër të Growth Plan dhe Reform Agenda, duke mbështetur investimet, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian. Puna jonë vijon me të njëjtin angazhim për një sektor energjetik më të fortë dhe një Shqipëri më pranë Bashkimit Evropian.”, shprehet ai.
Një prej objektivave kryesorë lidhej me rritjen e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme. 61 milionë eurot e pritshme nga Plani i Rritjes pritet të përdoren për investime në sektorë të ndryshëm.

