Tiranë, 01 tetor, argument.mk/ – Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT) dhe “Albanien Reisen GmbH” kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për promovimin e Shqipërisë në Zvicër dhe tregje të tjera evropiane.
Marrëveshja u nënshkrua nga drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së, Jola Hysaj, dhe Drejtori Menaxhues dhe themelues i “Albanien Reisen GmbH”, Saimir Shala.
Bashkëpunimi synon forcimin e prezencës së Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare, promovimin e vlerave kulturore, natyrore dhe gastronomike të vendit, si dhe nxitjen e turizmit hyrës.
Partneriteti i ri ka për qëllim të rrisë numrin e vizitorëve, zgjerimin e pranisë së Shqipërisë në tregjet turistike ndërkombëtare dhe pozicionimin e vendit si një destinacion tërheqës, autentik dhe gjithëvjetor.
Në fokus të bashkëpunimit do të jetë prezantimi i një oferte turistike të diversifikuar, që përfshin jo vetëm turizmin bregdetar, por edhe trashëgiminë kulturore, natyrën, gastronominë, aktivitetet në natyrë dhe përvojat autentike që ofron Shqipëria në periudha të ndryshme të vitit.
Përmes këtij partneriteti synohet gjithashtu rritja e ndërgjegjësimit për Shqipërinë si destinacion turistik në tregun zviceran dhe në tregje të tjera evropiane, duke krijuar mundësi për tërheqjen e vizitorëve të rinj dhe për një shpërndarje më të qëndrueshme të flukseve turistike gjatë gjithë vitit.
Marrëveshja mes AKT-së dhe “Albanien Reisen GmbH” vjen në kuadër të përpjekjeve për të forcuar bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë dhe operatorë turistikë, duke synuar një promovim më të gjerë dhe më të qëndrueshëm të Shqipërisë në tregjet evropiane.

