Tiranë, 01 tetor, argument.mk/ – Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Ministerialin Ekonomik të Procesit të Berlinit, zhvilluar në Cetinje, Mali i Zi, me pjesëmarrjen e ministrave të Ekonomisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesve të Komisionit Europian, organizatave rajonale dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.
Në qendër të diskutimeve ishte zbatimi i planit të veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (Common Regional Market), forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe avancimi i konvergjencës së vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian, përmes reduktimit të barrierave tregtare dhe rritjes së konkurrueshmërisë.
Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se faza e ardhshme e bashkëpunimit rajonal duhet të fokusohet te zbatimi dhe rezultatet konkrete për bizneset dhe qytetarët.
“Prioriteti ynë duhet të jetë i qartë: të kalojmë nga angazhimet te zbatimi dhe nga marrëveshjet te rezultatet e matshme për bizneset dhe qytetarët”, u shpreh Ibrahimaj.
Në këtë drejtim, ministrja prezantoi prioritetet e Drejtimit shqiptar të CEFTA-s, në vitin e 20-të të marrëveshjes, me fokus lehtësimin e tregtisë dhe uljen e kostove për bizneset. Ndër masat janë zgjerimi i Korsive të Gjelbra, harmonizimi i orareve të autoriteteve në pikat kufitare, thjeshtimi i kontrolleve për frutat dhe perimet, njohja e rezultateve të vlerësimit të konformitetit për produktet industriale dhe përdorimi i shërbimeve elektronike të besimit.
“Integrimi rajonal nuk duhet të matet me numrin e marrëveshjeve që miratojmë, por me kohën dhe paratë që bizneset kursejnë dhe me mundësitë që krijojmë për to që të rriten”, deklaroi ministrja.
Krahas lehtësimit të tregtisë, Ibrahimaj theksoi nevojën për një hapësirë rajonale më të integruar për investime, prodhim dhe inovacion. Në këtë kuadër, një nga prioritetet e Drejtimit shqiptar të CEFTA-s është “Higher Quality Investment & Higher Productivity”, me synim tërheqjen e investimeve që sjellin teknologji dhe aftësi, rrisin produktivitetin dhe zhvillojnë aftësitë dhe vendet e punës.
Ministrja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e krijimit të zinxhirëve rajonalë të vlerës në sektorë me potencial plotësues, si agroushqimi, prodhimi, turizmi dhe shërbimet, si dhe forcimin e lidhjeve të kompanive të rajonit me zinxhirët europianë të vlerës. Inovacioni, digjitalizimi dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor u evidentuan si elementë të rëndësishëm për konkurrueshmërinë e ardhshme të rajonit.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua lidhjes së integrimit rajonal me procesin e integrimit europian. Ibrahimaj theksoi se Tregu i Përbashkët Rajonal nuk është alternativë ndaj integrimit në BE, por një instrument praktik për përshpejtimin e tij.
“Për Shqipërinë, Tregu i Përbashkët Rajonal nuk është alternativë ndaj integrimit europian. Ai është një instrument praktik për përshpejtimin e tij”, u shpreh Ibrahimaj.
Në këtë drejtim, ministrja vuri në dukje rolin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili lidh integrimin ekonomik rajonal me aksesin gradual në Tregun Unik Europian, në fusha si mallrat, shërbimet, lëvizja e punonjësve, SEPA, transporti rrugor, energjia dhe integrimi digjital.
“Shqipëria është vendi me përformancën më të mirë në rajon sa i përket implementimit të Planit të Rritjes”, deklaroi ministrja.
Duke folur për fazën e ardhshme të integrimit, Ibrahimaj theksoi se bashkëpunimi rajonal duhet të ruajë standarde të përbashkëta, ndërsa vendet që janë gati duhet të mund të avancojnë më shpejt në fusha të caktuara.
“Fleksibiliteti duhet të përshpejtojë integrimin, jo të krijojë fragmentim”, theksoi ministrja.
Ministrja Ibrahimaj ftoi ministrat dhe partnerët ndërkombëtarë në Tiranë, në kuadër të 20-vjetorit të CEFTA-s, për vijimin e diskutimit mbi fazën e ardhshme të integrimit ekonomik të rajonit.

