Tiranë, 01 tetor, argument.mk/ – Këshilli i Legjislacionit shqyrtoi sot vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili shfuqizon vendimin e Kuvendit për mosmiratimin e projektvendimit për ngritjen e komisionet hetimore parlamentar për zgjedhjet e 11 majit të kërkuar nga opozita.
Komisioni synonte kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe verifikimin e përdorimit të burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Kryetari i Këshillit të Legjislacionit, Damian Gjiknuri, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është detyrues për Kuvendin dhe se tashmë duhet të përcaktohen hapat proceduralë për zbatimin e tij.
“Gjykata Kushtetuese ia ka kthyer Kuvendit, pra e ka shfuqizuar pjesërisht këtë vendim. Kuptohet që ankimi kishte dhe një objekt tjetër, por ai objekt është refuzuar”, tha ai.
Gjiknuri theksoi se në bazë të urdhrit të Kryetarit të Kuvendit dhe Rregullores së Kuvendit, Këshilli i Legjislacionit ka detyrën të shqyrtojë vendimin dhe të përcaktojë mënyrën se si do të procedohet më tej.
“Dihet që vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm, prandaj Kuvendi do të gjejë modalitetet e nevojshme për të rifutur edhe një herë këtë çështje, por natyrisht ky Këshill i Legjislacionit është Këshill i ngarkuar sipas rregullores së Kuvendit për ta trajtuar atë”, tha ai.
Nga ana tjetër deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, kërkoi që Kuvendi të ndërmarrë sa më shpejt hapat proceduralë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Kasos, zbatimi i vendimit është pjesë e përgjegjësisë institucionale dhe lidhet me parimin e lojalitetit kushtetues ndërmjet institucioneve.
“Është përgjegjësi e këtij Kuvendit të adresojë në kohën më të shpejtë, tregon përgjegjësi institucionale dhe hyn në parimin e lojalitetit kushtetues që duhet të kenë institucionet me njëri-tjetrin që theksohet edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, si në vendimin e shumicës ashtu edhe në mendimin e pakicës, është një parim tejet i rëndësishëm” , tha ai.
Kaso theksoi edhe nevojën për përshpejtimin e procedurave edhe me afrimin e periudhës së re zgjedhore, duke argumentuar se problematikat e evidentuara në zgjedhjet e 11 majit 2025 duhet të trajtohen përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Ai theksoi se roli i Kuvendit në këtë fazë duhet të jetë përcaktimi i hapave proceduralë për zbatimin e vendimit të Kushtetueses, ndërsa përgjegjësitë politike apo ligjore lidhur me zgjedhjet do të jenë objekt i procedurave përkatëse.
“Të gjejmë mënyrën dhe hapat ekzaktë proceduralë se si këtë vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese ta bëjmë realitet nëpërmjet detajimit të hapave proceduralë”, tha deputeti demokrat.

