Tiranë, 07 tetor, argument.mk/ – Punimet për dy fazat e para të Bypass-it të Elbasanit kanë nisur pas lidhjes së kontratave, ndërsa financimi për fazat pasuese të projektit do të vijojë edhe në buxhetin e vitit 2027, bëri të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
I pyetur nga mediet pas mbledhjes së qeverisë për ecurinë e punimeve, Karakaçi tha se kontratat për dy fazat e para janë lidhur dhe puna ka vijuar në terren.
“Kemi lidhur kontratat për dy fazat e para. Aty ku përfundon autostrada Tiranë-Elbasan, ku krijohet dhe fluksi më i madh i trafikut, tashmë kontratat janë lidhur dhe vijon avancimi i punimeve” , deklaroi Karakaçi.
Ministri theksoi se në këto dy faza nuk parashikohen shpronësime të mëdha, pasi një pjesë e tyre është kryer më herët.
“E kam ndjekur vetë në terren ecurin e punimeve në këtë kantier dhe fatmirësisht, në të dyja këto faza nuk kemi nevojë për shpronësime të mëdha, sepse një pjesë e këtyre shpronësimeve janë kryer në një kohë të mëparshme dhe, si e tillë, presim të vijojë puna me ritme të mira”, u shpreh ai.
Karakaçi bëri të ditur gjithashtu se edhe në buxhetin e vitit 2027 do të vijojë financimi për fazat pasuese të Bypass-it të Elbasanit.
“Lajmi i mirë është që edhe në buxhetin e vitit 2027 ne do të vazhdojmë me financimin e fazave pasuese të Bypass-it të Elbasanit, që është një nyje strategjike e veprave infrastrukturore në vend, që bën ndarjen e juglindjes me jugun e Shqipërisë”, deklaroi Karakaçi.

