Tiranë, 07 tetor, argument.mk/ – Reforma e re territoriale synon t’u krijojë bashkive, veçanërisht njësive më të vogla, më shumë mundësi për investime dhe për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të qytetarëve, deklaroi sot ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
I pyetur nga mediet pas mbledhjes së qeverisë, në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut Shkodër, për hartën e re territoriale, Karakaçi tha se ka zhvilluar takime me banorë të Fushë-Arrëzit, një prej bashkive që parashikohet të bashkohet me Bashkinë Pukë.
“Kam qenë në Bashkinë e Fushë-Arrësit, që është një nga bashkitë që do të bashkohet me Bashkinë Pukë, dhe kam dëgjuar dhe biseduar me banorët atje për paragjykimin e kësaj iniciative”, u shpreh ai.
Karakaçi tha se e sheh procesin si një mundësi për krijimin e bashkive më të forta financiarisht dhe administrativisht, të cilat mund të realizojnë më shumë investime në territor.
“Unë kam pasur mundësinë të diskutoj me qytetarët atje se ky është një proces që i shërben bashkive, me krijimin e bashkive më të forta, të cilat kanë mundësi për më shumë investime dhe për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të qytetarëve”, deklaroi ministri.
Sipas Karakaçit, Bashkia Pukë dhe Bashkia Kukës kanë aktualisht performancën më të ulët sa i përket qëndrueshmërisë financiare, ndërsa objektivi i reformës është rritja e kapaciteteve të njësive vendore për të investuar në territor.
“Bashkia Pukë dhe Kukës janë dy bashki që kanë performancën më të ulët si financiare dhe të qëndrueshmërisë dhe objektivi është që t’u japim edhe bashkive të vogla më shumë mundësi për investime në territorin e tyre”, tha Karakaçi.

