Shkup, 8 tetor argument.mk/ – “Nuk u tha në atë kuptim. Por u tha se disi duket sikur ende qëndrojmë në një vend dhe nuk i’a dalim ta lëvizim përpara procesin të gjithë së bashku, ndërsa qëllimi ynë i përbashkët është që një ditë të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian. Në këtë kuptim u tha kjo. Përndryshe, biseda jonë ishte një bisedë përmbajtësore, miqësore, që e zhvillojnë dy miq”, tha Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, lidhur me vizitën e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Televizionin Alsat-M.
“Unë nuk jam i kënaqur me dinamikën e procesit, sepse sa u përket ndryshimeve kushtetuese, qëndrimin tonë si Qeveri e dini, ai është i qartë. Qëllimi ynë është, në thelb, të gjejmë një mënyrë për ta lëvizur procesin përpara. Ndërkohë, u shfaq ky dokument i publikuar nga Komisioni Evropian, për të cilin mund të them se është inkurajues, por ky dokument, në fund të fundit, duhet të miratohet nga Këshilli Evropian”, tha Mickoski.
I pyetur për atë se, pavarësisht gjithçkaje, kushti për ndryshimet kushtetuese mbetet, Kryeministri Mickoski theksoi se Qeveria e mëparshme i bëri ndryshimet kushtetuese kriter për anëtarësimin në BE, pasi paraprakisht e ndryshoi emrin.
“Ne kurrë nuk kemi thënë se ky kusht nuk mbetet. Për fat të keq, qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së pranoi diçka që është pjesë e këtij procesi.
Por ajo që ishte qëllimi ynë që nga fillimi i Qeverisë, nëse i lëmë mënjanë ato budallallëqe që i thotë udhëheqja aktuale e LSDM-së dhe BDI-së, se kemi premtuar, pastaj kemi gënjyer e kështu me radhë, nëse i lëmë mënjanë ato budallallëqe dhe flasim për politikë reale, atëherë qëllimi ynë ishte të gjenim një mënyrë se si ta vëmë në lëvizje atë proces dhe njëkohësisht të arrijmë ta ruajmë dinjitetin, i cili, do të pajtoheni me mua, me pranimin e këtij kushti ishte jo vetëm i shkatërruar, por i varrosur, nëse kemi parasysh se para këtij pranimi parapriu edhe një poshtërim tjetër, e ai ishte ndryshimi i emrit kushtetues”, është decid Mickoski.

