Modelja shqiptare, Arbenita Ismajli, ka reaguar në rrjete sociale dhe ka ngritur shqetësime për pozitën e grave në shoqëri, patriarkatin dhe, veçanërisht, besimin te institucionet që duhet të garantojnë sigurinë e tyre dhe të fëmijëve.
Në një postim, Arbenita u është drejtuar grave me një mesazh të drejtpërdrejtë, duke i inkurajuar të mos e ndërtojnë jetën sipas pritshmërive të shoqërisë dhe të mos heqin dorë nga pavarësia e tyre vetëm për t’iu përshtatur normave tradicionale.
“Oj femra, mjaft u dhatë pushtet burrave mbi jetët tuaja! Mos u martoni, mos bëni fëmijë vetëm sepse kështu e kërkon shoqëria”, shkruan ajo.
Foto: Screenshot/Instagram
Në një tjetër postim, modelja ka folur nga këndvështrimi i saj si nënë, duke shprehur humbjen e besimit te gjykatat, prokuroria dhe Qendra për Punë Sociale.
Ajo pretendon se institucionet nuk i kanë dhënë peshën e duhur frikës, traumës dhe sigurisë së saj dhe të fëmijës.
“Për ta ishim thjesht një dosje, jo dy jetë njerëzish që meritonin mbrojtje”, thuhet në reagimin e saj.
Arbenita thekson se nuk e konsideron detyrim t’u besojë institucioneve që, sipas saj, nuk i kanë ofruar sigurinë e nevojshme, teksa vë në pah rëndësinë e ndërhyrjes në kohë për të parandaluar pasoja të rënda.
Foto: Screenshot/Instagram
“Nuk kam detyrim t’i besoj një sistemi që na ka dështuar. Kam detyrim ta mbroj fëmijën tim dhe veten, me çdo kusht”, shkruan tutje.
Reagimi vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila më parë iu drejtua me një letër për rastin e saj kryeprokurores në Pejë.
Arbenita ka qenë e martuar me reperin Fero, i cili është përballur me akuza për dhunë në familje.
Përmes këtyre mesazheve, modelja ka rikthyer në vëmendje nevojën që gratë të ndihen të sigurta, të kenë mbështetje dhe të mos mbeten vetëm përballë situatave që rrezikojnë mirëqenien e tyre dhe të fëmijëve.



