Shkup, 5 shtator – Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, gjatë pjesëmarrjes në edicionin e 33-të të Forumit ekonomik në Karpaç, Poloni, është takuar me nikoqirin, nënkryetarin e Qeverisë polake dhe ministrin e Çështjeve Digjitale, Kristof Gavkovski. Siç njoftuan sot nga Ministria e Transformimit Digjital, të dy ministrat diskutuan për mundësitë për bashkëpunim intensiv ndërmjet Maqedonisë dhe Polonisë në fushën e transformimit digjital.
Gjatë takimit, ministri Gavkovski e prezantoi përvojën polake në lidhje me digjitalizimin e shërbimeve qeveritare dhe në këtë kontekst e theksoi transformimin mbresëlënës të Polonisë, veçanërisht në lidhje me përdorimin e të dhënave të hapura.
Ministri Andonovski këto të arritura i cilësoi si përvoja pozitive, të cilat Republika e Maqedonisë mund t’i shfrytëzojë nga Polonia, në zhvillimin e shërbimeve të veta digjitale.
“Të dy ministrat diskutuan edhe për sfidat që lidhen me mbajtjen e profesionistëve të sektorit të IT në administratën shtetërore, ndërsa shkëmbyen mendime për zgjidhjet e mundshme për mbajtjen e personelit të kualifikuar në sektorin publik, i cili është i një rëndësie kyçe për një transformim të suksesshëm digjital”, thuhet në komunikatë
Në kontekst të mundësive të financimit të jashtëm, Andonovski dhe Gavkovski i shqyrtuan burimet e mundshme të mbështetjes financiare, veçanërisht nga Bashkimi Evropian, për të mbështetur axhendën digjitale në të dy vendet. Zëvendëskryeministri Gavkovski e theksoi gatishmërinë e Polonisë për të ndihmuar në shfrytëzimin maksimal të fondeve ndërkombëtare në ndërtimin e një sistemi të fuqishëm digjital.
Dy ministrat ranë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e transformimit digjital në të ardhmen, duke shkëmbyer ide dhe praktika të mira për modernizimin e sektorit publik. Gavkovski e ftoi Andonovskin që të jetë folës në takimin ministror të nivelit të lartë për diplomacinë digjitale që do të mbahet në maj, në kuadër të presidencës polake të BE-së.
