Vajza e Azem Hajdarit, ish-deputetja demokrate Rudina Hajdari, është shprehur se është larguar nga angazhimi aktiv në PD, pasi zëri i saj nëpër forumet e brendshme të partisë nuk është dëgjuar.
Komentet Hajdari i bëri në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se ajo ka kërkuar reformim të PD në Këshillin Kombëtar dhe në përrvjetorin e 32-të të PD-së, por sipas saj, kërkesat e saj nuk janë marrë parasysh dhe sot opozita nuk është aty ku duhet të jetë.
Ajo shtoi se e shikon të vështirë rotacionin politik vitin e ardhshëm, i cili është edhe një vit zgjedhor.
“PD ka pasur sfidat e veta në 5-6 vitet e fundit. Unë isha në politikë në 2017 dhe më tutje me braktisjen e mandateve, të zgjedhjeve vendore dhe përçarjen brenda PD. Të gjitha këto kishin pasojat e veta. Edhe sot nuk shikoj njerëz shumë të frymëzuar që të tregojnë se opozita është në vendin dhe kohën e duhur për të bërë ndryshimin.
Përshembull në 11 dhjetor para dy viteve, në 32 vjetorin e PD, unë thashë në fjalën time se PD duhet të reformohet që të jetë më bashkëkohore. Të thithë ata që kanë qenë në PD. Nuk e shikoj këtë reformim me syrin tim. PD nuk është aty ku duhet të jetë. Viti tjetër është një vit zgjedhor dhe duke marrë parasysh edhe kohën, e shikoj të vështirë rotacionin”, tha Hajdari.
