Deputetja e Partisë Demokratike, Andia Ulliri në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se dhuna me bazë gjinore është e papranueshme dhe duhet adresuar në çdo hallkë të saj.
Ulliri, duke iu referuar fushatës ndërkombëtare të 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, u shpreh se duhet më shumë financim dhe vëmendje në drejtim të politikave riintegruese të viktimave të dhunës me bazë gjinore.
“Kjo fushatë është një mesazh në vetvete e cila duhet përcjellë jo vetëm nëpërmjet nesh si deputetë, por nga çdo institucion dhe qytetar i Shqipërisë për të bërë të qartë se dhuna në çdo formë është e papranueshme”, tha ajo.
Ulliri tha se “dukshëm ende nuk kanë arritur të adresojnë çështjet kryesore dhe të garantojnë një mjedis të mbrojtur qoftë nga instancat e policisë vendore, por dhe ato në shkolla.
Kam marrë informacione mbi këto qendra sociale dhe nuk janë në nivelin e duhur, nuk kanë kapacitete për të ofruar ndihmën reale që nevojitet ndaj personave të dhunuar. Do shtoja se këtu ka nevojë për një vëmendje më të shtuar dhe financimin e duhur për të adresuar dhe riintegruar në punë dhe shoqëri gratë dhe vajzat apo çdokënd që sot ka nevojë”.
“Shpeshherë kam qenë pjesë e paneleve ku kam sugjeruar se ka nevojë për një konsultim me ekspertë për të krijuar një strategji në të gjitha nivelet, të cilat duhet të reagojnë dhe adresojnë këto çështje. E gjitha nis me vullnetin për të arritur më të mirën, një sistem i cili i mbron qytetarët e tij”, thekson Ulliri.
Deputetja e PD vë theksin te mentaliteti që duhet të ndryshojë në qasjen ndaj këtij fenomeni. “Në shumë zona të Shqipërisë shoh se ende ka një ndrydhje në mentalitet, problem i cili e vështirëson punën për të vënë mekanizmat në funksion. Ka raste kur dhuna adresohet dhe nuk merret parasysh nga policia, dhe po ashtu raste kur policia është e gatshme të ndërhyjë, por nuk denoncohet. Besoj në këtë prizëm ka ende punë për të bërë nga të gjithë ne.
Mendoj se ofrimi i modeleve të cilat frymëzojnë, por dhe politikat mbështetëse, rrisin gradualisht forcën e grave dhe vajzave në shoqëri. Secila prej nesh sot duhet të bëjë çmos që të ofrojë modelin e duhur”, thekson Ulliri.
Ajo tha se në Kuvend ka edhe nisma pozitive në këtë drejtim. “Patjetër, sot ekziston një grupim vullnetar i grave parlamentare, “Aleanca e Grave Deputete” ku opozita kryeson dhe ku bashkëpunimi si në rastin e propozimit për ruajtjen e kuotës gjinore pas ndryshimeve mbi kodin zgjedhor janë shembuj se kur ka vullnet dhe bashkëpunimi mund të arrihet dhe të prodhojë politika më të mira”, nënvizoi Ulliri.

