Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në fjalën e tij në Kuvend duke iu drejtuar kryetares Elisa Spiropali theksoi se duhet të kishte futur në rend të ditë interpelancën e kërkuar nga grupi i PD-së me kryeministrin Edi Rama për çështjen Bechetti.
“Në datë 2 dhjetor të këtij viti, në përputhje me Kushtetutën, kam kërkuar një interpelancë urgjente me Kryeministrin sa i takon informacioneve të bëra publike, që 130 mln euro të qytetarëve shqiptarë janë bllokuar për llogari të ekzekutimit të vendimit të Arbitrazhit ndaj Agon Channel.
Publikisht ju Kryetare keni thënë se kërkesa është marrë nga kryeministri, për shkak të axhendës nuk mund të jetë prezent sot, por do të zhvillohet sipas procedurës për seancën e radhës. Sot duhet të vendosnin kërkesën për interpelancë të kërkuar nga grupi i PD me Kryeministrin”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, ka patur “një reagim publik të kryeministrit që ju ka diktuar edhe ju mos ushtrimin e kompetencës dhe sipas rregullores për ta përfshirë në rendin e ditës”.
Bardhi theksoi më tej se “kryeministri nuk mund ti vërë kushte Kuvendit se kur paraqitet dhe kur jo”.
“Kushti që ka vendosur është një kusht që nuk varet nga Kuvendi. Nëse i vëllai i tij është apo jo i përfshirë në “çështjen Xibraka” dhe kërkesa e tij që të mbyllen hetimet nga SPAK nuk mund të jetë kusht për Kuvendin, mund të jetë shantazh ose intimidim ndaj SPAK, por jo një kusht kushtetues ndaj Kuvendit që kryeministri mos të paraqitet”, tha Bardhi.
Bardhi shtoi se kërkesa e tij është proceduriale dhe se Rama duhet të paraqitet vetë personalisht për të dhënë llogari.
“Kërkesa ime procedurale është të thërrisni kryeministrin Rama personalisht për të ardhur dhe për të dhënë llogari për atë informacion që ka dalë në media dhe është publik, disponojmë të gjitha dokumentacionet përkatëse. Kur nuk ka ekzekutim vullnetar, por ka ekzekutim të detyrueshëm, nuk ka letra nga shteti shqiptar, por ka vendim të gjykatës belge. Të vijë të japë llogari, siç e detyron Kushtetuta”, tha Bardhi.
