Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha do të paraqitet ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që e la nën masën “detyrim paraqitje” për dosjen “Partizani”.
Ashtu si herën e kaluar (datë 6 janar), pritet që mbështetës të ish-kryeministrit të mblidhen për të protestuar para SPAK.
Sipas vendimit të gjyqtarit Engert Pëllumbi, Berisha duhet të paraqitet në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të muajit.
Berisha është zyrtarisht i pandehur nga SPAK për akuzën e korrupsionit pasiv ndaj zyrtarëve të lartë, në lidhje me hetimet e për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Pjesë e dosjes është edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.
