Në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, u mbajt ceremonia e dorëzimit-pranimit të pajisjeve për ekspertizë të ADN-së, pjesë e Programit: “Zgjidhja e rasteve të personave të zhdukur nga lufta në Kosovë”.
Në këtë ceremoni morën pjesë: ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Samira Krehic, zv e Kryesuesit të Programit të ICMP-së për Ballkanin Perëndimor, Jonas Westerlund Ambasador i Mbretërisë së Suedisë në Kosovë, Antonello De Riu, ambasador i Republikës së Italisë në Kosovë, Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, si dhe zëvendësuesi i drejtorit të AKF-së, Ilir Kukaj.
Agjencia e Kosovës për Forenzikë që nga viti 2020 është duke marrë pjesë në projektin rajonal te ICMP-së, që ka për objektiv kryesor fuqizimin e kapaciteteve vendore në çështjen e testimit (analizës) të ADN-së lidhur me identifikimin e personave të zhdukur.

Pajisjet e pranuara nga ICMP për ekspertiza të ADN-së janë teknologjia e fundit në këtë fushë dhe do të ndikojnë pozitivisht në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, në fushën e hetimit kriminal dhe ekspertizës forenzike sipas standardeve ndërkombëtare ISO17025-2017.


