Davos, 22 janar – Komisionerja e Bashkimit Evropian për zgjerimin, Marta Kos tha sot se procesi i anëtarësimit të shteteve të reja në këtë bllok ishte bërë “edhe më i vështirë” përkundër luftës në Ukrainë, e cila i detyroi shtetet anëtare të mendojnë për zgjerimin e tij.
Ajo i bëri këto komente në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës ku bashkë me kryeministrat e Kroacisë, Malit të Zi dhe Ministrin e Jashtëm të Ukrainës, dy shtete kandidate për t’u anëtarësuar në BE, debatuan për procesin e anëtarësimit përballë luftës së Rusisë në Ukrainë dhe situatës së ndryshuar gjeopolitike në Evropë.
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos tha të mërkurën se kriteret për pranimin e anëtarëve të rinj në këtë bllok, që lidhen me sundimin e ligjit, ishin bërë më të ndërlikuara në kontekstin aktual të një bote që po ndryshon.
“Metodologjia u ndryshua në vitin 2020. Mali i Zi dhe Ukraina e dinë se procesi negociues për kapitullin e sundimit të ligjit është bërë edhe më i vështirë. Dekada e fundit nuk ishte as e mirë dhe as e suksesshme sa i përket zgjerimit”, tha ajo.
Komisionerja Kos i bëri këto komente gjatë një diskutimi në Forumin Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos. Pjesëmarrës në të ishte edhe Ministri i Jashtëm i Ukrainës dhe Kryeministri i Malit të Zi, dy vende që synojnë anëtarësimin në BE, si dhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviç.
Bashkimin Evropian është zgjeruar për herë të fundit për para më shumë se një dekade, ku pranoi Kroacinë si anëtare të bllokut në vitin 2013.
