Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal, ndërkohë që javën e fundit, sipas numrit të rasteve të raportuara, intensiteti i gripit është në aktivitetin e lartë të qarkullimit duke e kaluar pragun epidemik.
IKSHPK thekson se me këtë është shtuar fluksi i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në institucionet shëndetësore.
“Gripi sezonal është sëmundje akute infektive e cila te një numër i konsideruar i rasteve shkakton komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, ndërsa vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar gripin dhe reduktuar rrezikun.
IKSHPK u bën thirrje gjithashtu qytetarëve që të zbatojnë edhe masa të tjera parandaluese si:
Mbajtjen e higjienës personale;
Evitimin e kontakteve të afërta me individë të sëmurë;
Redukimin e vizitave të familjarëve tek personat e hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale);
Evitimin e vendeve të mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz;
Ushqimin e shëndetshëm me shumë vitamina;
Aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshëm;
Personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi .
Konsultimi me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit, të cilat duhet të merren vetëm me rekomandimin e mjekut.

