Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini në një intervistë televizive u shpreh sot se situata epidemiologjike për sa i përket viruseve respiratore është me një intensitet të lartë.
Java e fundit e janarit dhe dy javët e para të shkurtit sipas Tominit, përkojnë edhe me periudhën e pikut të prekjes nga gripi dhe virozat që po qarkullojnë aktualisht në vendin tonë.
Shefja e ISHP-së bën thirrje që qytetarët të mos dynden menjëherë për kontrolle mjekësore në urgjenca, në spitale të mëdha apo ato terciare, por të ndiqet dhe respektohet protokolli mjekësor, duke pasur fillimisht një konsultë me mjekun e familjes ose atë specialist.
“Jemi në sezonin e pikut të qarkullimit të viruseve respiratore, madje kemi bashkëqarkullim të katër viruseve. Por, unë bëj apel që të mos krijojmë një mbingarkesë në urgjenca, në spitalet e mëdha apo ato të nivelit terciar, por të ndjekim sistemin e referimit. Nëse do të jeni me shenja klinike virale në tre ditët e para duhet të qëndrohet në shtëpi dhe nëse ka përmirësim të vijohet me aktivitetin rutinë. Nëse gjatë këtyre 3-4 ditëve temperatura nuk normalizohet, ka vështirësi në frymëmarrje, kollë të padurueshme, vështirësi në nxjerrjen dhe marrjen e frymës, komunikimi ballë për ballë me mjekun e familjes është shumë i rëndësishëm sepse gripi çon në bronkolite, bronkopneumoni difuze etj. Të mos neglizhohet asnjë simptomë”, thotë Tomini.
Sipas mjekes, grupet më të riskuara janë moshat foshnjore dhe ato mbi 65 vjeç dhe me sëmundje kronike apo bashkëshoqëruese.
“Grupmoshat fëminore, fëmijët nën 1 vjeç, 1-5 apo 1-15 janë fashat e prekura ndërkohë, aty ku imuniteti është edhe më i dobët, mbi 65 vjeç. Këto janë dy fashat ekstreme ku gripi apo virozat respiratore kanë më shumë ndikim. Edhe mosha aktive 25-35 vjeç rezulton të jetë e prekur me fenomene të pneumonive apo bronkopneumoni. Kemi qarkullim të katër viruseve aktualisht, ai i tipit A, B, virusi respirator sinicial dhe Covid-19. Nëse ne përballemi me secilin prej këtyre viruseve, distancimi social, vendosja e maskës, higjiena personale, të gjitha kanë ndikim në këtë situatë”, pohon Tomini.
Drejtoresha e ISHP-së bën sërish apel që të kryhet vaksinimi kundër gripit, pasi kjo rezulton sipas saj të jetë mbrojtja më e mirë kundër gripit dhe virozave të stinës.
“Nëse nuk keni shenja, vaksinimi i grupeve të riskut është shumë i rëndësishëm deri në fund të marsit. Nëse gëzoni shëndet të mirë, pa kollë, pa temperaturë, pa dobësi trupore apo muskulore jeni të lutur të vaksinoheni në qendrat shëndetësore deri në fund të marsit”, thekson Tomini.
Gjatë intervistës, mjekja u ndal edhe në faktin nëse gripi çon në miokardit, si në dy rastet fatale të humbjes së jetës së dy fëmijëve në Lushnje dhe Maliq.
“Dinamika klinike e infeksioneve respiratore te fëmijët është tepër e shpejtë. Rekomandojmë që fëmijët e vegjël këtë periudhë të mos shkojnë në çerdhe, kopsht apo në shkollë.
Prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm, nëse ka shenja rrufe, temperaturë të lartë mbi tre ditë, vështirësi në frymëmarrje, të ketë patjetër një kontroll të fëmijës nga mjeku. Gripi merr jetë, ndaj nuk duhet neglizhuar asnjë shenjë klinike. Virozat respiratore janë të shumta, por subjekte të ndryshme përgjigjen në mënyrë të ndryshme. Pra, një imunitet i dobët përgjigjet ndryshe nga një imunitet i fortë”, theksoi mjekja.
Sipas Tominit, në vendin tonë aktualisht qarkullojnë mbi 20 mijë infeksione respiratore në rrugët e sipërme dhe të poshtme.