Deputetët e Kuvendit mbajtën sot një minutë heshtje në nisje të seancës së sotme plenare.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali kujtoi sot në nisje të seancës plenare Kryepeshkopin Anastas Janullatos.
Spiropali u shpreh se, “Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos u nda nga jeta. Nuk do e kemi më mes nesh atë që me vizionin, erudiconin, dijet, vullnetin dhe vendosmërinë e tij në kushte të mungesave e vështirësive, gjatë më tepër se 3 dekadave ringjalli, ringriti dhe rindërtoi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”.
Spiropali theksoi se Kryepeshkopi Anastas Janullatos, “frymëzoi dhe mbështeti besimtarët ortodoksë me besimin në Zot, me ndjenjat e dashurisë, respektit, tolerancës dhe solidaritetit. Përgatiti dhe mbështeti brezat e rinj të klerikëve ortodoksë shqiptarë, me dijet, aftësitë dhe përkushtimin për të konsoliduar dhe vazhduar misionin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Projektoi, mbështeti e promovoi institucionet arsimore, humanitare, shëndetësore e kulturore të cilat u kanë shërbyer dhe u shërbejnë të gjithë qytetarëve shqiptarë, pavarësisht besimit dhe përkatësisë fetare”.
“Më përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm Fortlumturia e tij Kryepeshkopi Anastas, kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri, në paqen dhe miqësinë mes popujve të rajonit e në botë”, tha Spiropali.
“Për shërbimin e tij kishtar e paqësor Kryepeshkopi Anastas u respektua nga besimtarët, qytetarët dhe institucionet e të dy vendeve, të Greqisë vendit ku lindi dhe të Shqipërisë si qytetar i vendit ku shërbeu deri në fund të jetës së tij e ku do të prehet deri në amëshim”, tha kryeparlamentarja.
Spiropali më pas ftoi deputetët të mbajnë një minutë heshtje
“Sot në Tiranë u krye shërbesa e përcjelljes së Kryepeshkopit. Duke i shprehur në emër të Kuvendit të Shqipërisë ngushëllimet Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe besimtarëve ortodoksë për këtë humbje të madhe dhe në shenjë nderimi e mirënjohjeje për trashëgiminë e kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë Fortlumturisë së tij Anastas ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje”, tha Spiropali.
