Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi replikoi sot në Kuvend me deputeten e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila akuzoi mazhorancën se ka futur në kalendar projektligje për qëllime elektorale.
Peleshi theksoi se “është e qartë për të gjithë që parlamenti nuk bën ligje vetëm për një pjesë të shqiptarëve, për një parti apo një tjetër”.
“Ligjet janë për të gjithë shqiptarët. Parlamenti nuk bën ligje për për një periudhë disajavore deri në zgjedhjet e radhës. Nuk shikoj ndonjë tentativë të tillë në kalendarin dhe programin tonë”, u shpreh ai.
Duke iu përgjigjur Zhupës, Peleshi theksoi se “aludimi që dëgjuam është i tepërt dhe nuk qëndron”.
“Është thjesht për të përhapur një tymnajë. Siç e dimë të gjithë nuk ka ligj që futet befas në seancë dhe miratohet. Të gjitha ligjet dhe kalendari i punimeve kalojnë në procedurën parlamentare, në komisione ku shqyrtohen. Nëse deputetët e opozitës do të vërejnë në ndonjë prej ligjeve elementë që bie ndesh me Kodin Zgjedhor në lidhje me fushatën parazgjedhore do mbahet qëndrimi në komision. Nuk kemi pse paragjykojmë çdo hap, çdo propozim dhe vendimmarrje”, tha Peleshi.
Duke u ndalur te projektligji për “Paketën e maleve”, Peleshi siguroi se ai nuk synon të shpërndajë grante për fermerët apo socialistët e zonave malore.
“Projektligji i shërben të gjithëve, zonave malore dhe është aty për t’u vënë në zbatim para apo pas zgjedhjeve dhe deri sa të implementohet në vijimësi kjo politikë që nuk është për partinë por është për Shqipërinë”, tha Peleshi.
