Shkup, 5 shkurt – Aksidentet e shpeshtuara në trafik, sidomos ato që shkaktojnë fatalitet, vozitja e tërbuar e automjeteve përtej rregullave në komunikacion, madje edhe pa patentë shoferi, si dhe shkelja e këmbësorëve, po ndezin dritën e kuqe për të ndërmarrë masa urgjente për të rritur sigurinë në komunikacion, por çfarë duhet bërë?!
Më kryesorja është që të respektohen shenjat horizontale dhe vertikale të vendosura në komunikacion. Përveç kësaj në kryeqytet ka disa “pika të zeza”, të cilat mund të shkaktojnë aksidente me përmasa të mëdha, por pavarësisht rrethanave dhe kushteve në trafik, në duart e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, e sidomos të drejtuesve të automjeteve është nëse do të vendosin të respektojnë ose jo rregullat dhe shenjat e vendosura në komunikacion, thonë nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacion.
“Çfarë janë pika të zeza në komunikacion?! Ato janë pika, të cilat për shkak të disa rrethanave mund të ndodh të ketë incident në trafikun rrugor. Nuk mund t’ju tregojë se sa pika të zeza ka për momentin, mirëpo ato në vazhdimësi po detektohen nga ana jonë. Ato janë materie e gjallë, pasi që një pikë e përcaktuar sot mund të mos jetë “pikë e zezë” nesër. Andaj, pavarësisht kësaj, ne u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë shenjat vertikale dhe horizontale të komunikacionit dhe aty ku është përcaktuar shpejtësia të mos tejkalohet në asnjë mënyrë. Për vozitjen e shpejtë dhe nën ndikimin e alkoolit duhet të ketë dënime represive dhe jo preventive dhe nuk duhet të ketë tolerime.”, – deklaroi zëdhënësi i Këshillit Republikan për Siguri në Trafik, Dejan Andonoviq.
MPB: Kamerat e sigurisë, së shpejti në funksion
Në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë veç më vendosen kamerat e sigurisë të parashikuara në projektin e MPB-së, si “Safe City”. Po punohet në instalimin dhe përditësimin e këtij sistemi dhe njëherit edhe për rregullimin e procedurës për mbrojtjen e të dhënave personale. Këto kamera do të përndjekin shkelësit e rregullave në trafik, të cilët do të vozisin shpejtë, do të kalojnë në të kuqe dhe do të parkohen në vend të gabuar, ku procesverbali i shkeljes dhe gjoba do t’u dërgohet adresave të shkelësve.
“Vendosja e kamerave të sigurisë pritet të përfundojë gjatë vitit 2025. Sistemi do të regjistrojë, shkeljet në trafik, siç janë: kalimi në të kuqe, vozitja me shpejtësi më të madhe nga e lejuara, si dhe parkimi joadekuat. Ndryshimet ligjore do të jenë në drejtim të harmonizimit të legjislativës sonë, me atë të BE-së, ndërsa ato kanë të bëjnë me ndryshime dhe plotësime të disa neneve të ligjit ekzistues për siguri në trafik, ku do të mundësohet që shkeljet në trafik të dokumentohen me pajisje adekuate teknike, me çka drejtuesve të automjeteve do t’u dërgohet dokumentacioni për shkeljen e bërë.”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Mitrevski: Çdo vit regjistrohen rreth 150 viktima
Përfaqësuesit e OJQ-së në vend që merren me çështjen e rritjes së sigurisë në trafikun rrugor, thonë se kamerat janë më se të nevojshme për t’u vendosur, duke marrë parasysh se për çdo vit regjistrohen prej 120 deri në 150 viktima.
“Ka paralajmërime se deri në fund të vitit 2025 do të përfundojë implementimi i projektit “Safe City”. Ky është një projekt i mirë dhe konsiderojmë se do të ndikojë pozitivisht në uljen e numrit të viktimave në trafikun rrugor, mirëpo nuk duhet të jetë i vetmi, pasi që duhet të punohet edhe në më shumë fusha të tjera, ku në disa raste me ju e kam përmendur se duhet implementuar edhe sistemin “Even data recorder”, e cila veç më praktikohet në disa vende të Evropës.”, – theksoi kryetari i OJQ-së “Medium” për uljen e viktimave në komunikacion, Igor Mitrevski.
Prej korrikut të vitit të kaluar, BE-ja mori vendim me të cilën detyroi industrinë automobilistike, që çdo veturë e re e prodhuar të ketë të instaluar sistemin “Even data recorder”, e cila në rast të aksidentit trafik të automjetet, 5 sekondat e para dhe pas aksidentit do të incizojë automjetin dhe do të punojë njëjtë si kutitë e zeza të aeroplanëve, të cilat më pas këto incizime do t’i shfrytëzojnë me ekspertiza të mëtejshme.

