Prej 24 orësh, Anila Ndoka Prendushi, vazhdon betejën për jetën në spitalin rajonal të Shkodrës. Ajo u qëllua me një plumb nga partneri i saj, duke i shkaktuar një plagë të rënde në kokë, ndërkohë që më pas, autori Kolë Manaj, me të njëjtën armë, vrau edhe veten.
Fillimisht, u tentua dërgimi i 44-vjecares për në Tiranë, por gjendja e saj shëndetësore nuk përballonte transportin, sipas mjekeve. Ndërkohë, grupi hetimor ka marrë në pyetje kolege të gruas së plagosur dhe familjarë.
Ata kanë deklaruar se Anila, nuk ka shfaqur probleme gjatë lidhjes se saj 5-vjecare me Kolë Manajn, ndonëse gjatë 2-3 javëve të fundit, ka qenë e shqetësuar.
Gjatë kësaj periudhe, dyshohet se mes çiftit ka pasur një ftohje të marrëdhënieve për arsye që ende nuk dihen.
Trëndelina Borici, kolege e Anila Prendushit tregon se e plagosura prej vitesh punon edhe në një qendër për gratë që kane rënë pre e dhunës së burrave.
Borici tregon se gjatë gjithë atyre viteve ajo nuk ka shfaqur asnjë problem, madje ka punuar edhe në turnin e natës duke ndihmuar gratë viktimë të burrave.
“Ngjarja është tronditëse për çdo qytetar, aq më tepër për personat që kanë bashkëpunuar me të dhe kanë pasur njohuri për kontributin në fushën e saj. Organizata ‘Guraja te gruaja” për vajzat dhe gratë e dhunuara, ku strehohen për të tejkaluar një situatë dhune derisa pajisen me një urdhër mbrojtje dhe për tu adresuar në strehëza të tjera në bashkëpunim me institucionet lokale.
Anila ishte pjesëtare këtij grupi, punonjëse e strehëzës së emergjencës në ndihmë të grave që shpëton nga dhuna.
Komunikimi me të ka qenë më tepër sa i përket punës. Para dy ditësh ishte në turn por nuk ka shfaqur ndonjë problematik. Jemi shokuar kur e morëm vesh ngjarjen. Nuk ka pasur asnjë hezitim as për turnin të natës. Dhuna vazhdon dhe me keqardhje e them ishte radha e Anilës. Ne e bëjmë pyetjen si ka mundësi një grua që është e përgatitur emocionalisht mundet me qen përballë një rasti të tillë.
Besoj që një grua pavarësisht profesionit apo forcës mbetet nën mentalitetin dhe presionin e shoqërisë dhe vetëcensurës. Ndoshta mund të kishte probleme dhe ka pasur mundësi të denoncojë por ndoshta të qenurit grua implikon shpresën e ndryshimit dhe keqardhja për të mos e denoncuar partnerin, ndoshta edhe për shkak të turpit”, -shprehet ajo per TCH.
Manaj, i rënduar psikologjikisht, ditën e ngjarjes ka shkuar te puna e bashkëjetueses së tij dhe janë futur në makinën e saj, të parkuar përpara qendrës komunitare ku ajo punonte. Me vete ai ka patur edhe një pistolete.
Pas debatit ne lidhje me marrëdhënien e tyre dhe mundësisë se një ndarjeje përfundimtare, dyshohet se Manaj nuk ka pranuar ndarjen dhe ka qëlluar fillimisht partneren e tij dhe më pas edhe veten.
Pas të shtënave, është lajmëruar policia dhe autoambulanca ku mjeket kanë arritur ta mbajnë në jetë Anilën, ndërsa Kolë Manaj ka ndërruar jetë në vend.