Zgjerimi i bashkëpunimit akademik dhe profesional në fushën e shëndetësisë ishte në qendër të një takimi të zhvilluar sot nga rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Xheladin Draçini me një delegacionin nga Rajoni i Piemontes, Itali.
Delegacioni italian përbëhej nga Federico Riboldi, Këshilltar për Shëndetësinë, Rajoni i Piemontes, Prof. Luca Ragazzoni Zëvendësrektor, Universiteti Piemonte Orientale, Prof. Valerio Dimonte – Universiteti i Torinos, Dr. Ivan Bufalo – President i Urdhrit të Infermierëve, Piemonte, Federico Nardi, Blerim Zhugli, Andrea Mallai, Salvo Lo Presti – Konsulentë, Azienda Zero, Rajoni i Piemontes.
Në një postim në rrjetet sociale, UMT njofton se “gjatë takimit fokusi i bashkëpunimit ishte zgjerimi i mundësive për studentët e UMT në institucionet shëndetësore të Piemontes dhe intensifikimi i bashkëpunimit akademik me universitetet italiane, duke pasuruar kurrikulat dhe lehtësuar shkëmbimet profesionale”.
Ky partneritet është një hap i rëndësishëm për rritjen e ndërkombëtarizimit të UMT, duke ofruar më shumë mundësi për zhvillim akademik dhe profesional për studentët dhe stafin e tij.
