Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në takimin e dytë të nivelit të lartë “Shqipëria 2030 në BE – Rruga e reformave”. Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një domosdoshmëri e cila na ndan nga historia e hijeve të së shkuarës.
Rama theksoi se vendi duhet të përfitojë nga mundësia aktuale për të mbyllur negociatat deri në vitin 2027.
“Dua ta nis fjalën time me një falënderim të posaçëm për Valentinën dhe Bjornin që janë këtu bashkë me ne sot. Është një falënderim jo thjesht formal, por i domosdoshëm, për faktin se për ne ka qenë shumë shumë e rëndësishme puna e këtij Komisioni të Posaçëm dhe ka qenë shumë e rëndësishme që kjo punë të jetë një punë e një grupi kompleks institucionesh dhe burimesh njerëzore dhe prania e këtyre këtu sot është në të njëjtën kohë edhe një vlerësim i kësaj pune”, u shpreh ai.
“Përpara pak kohe doli një anketë për nivelin e mbështetjes së BE-së brenda BE nga ana a popujve që e përbëjnë familjen evropiane. Një anketë që publikohet që nga 1983. Dhe qysh prej 1983 Bashkimi Evropian nuk ka qenë më popullor brenda perimetrit të vet në këndvështrimin e popujve të vet, sesa aktualisht. Është një ndryshim dramatik i këndvështrimit popullor në Bashkimin Evropian që natyrisht vjen si rezultat i faktit se çka ishte marrë deri para pak kohësh si e mirëqenë, nuk është më e mirëqenë. Dhe instinktivisht popujt e BE-së, unë them pjesa perëndimore, e përkëdhelur nga fakti se për herë të parë në histori një gjeneratë e tërë nuk ka parë një luftë, ose nuk kishte parë një luftë, janë vetëdijësuar se BE është edhe një perimetër sigurise. Një perimetër sigurie brenda të cilit vendet dhe popujt që e përbëjnë ndiehen dhe duan të mbeten të pakërcënuar në të gjitha ato çka kanë arritur dhe mbi të gjitha në lirinë e tyre individuale dhe në barazinë e tyre para ligjit, patjetër pastaj edhe në të gjitha aspektet tjera që e bëjnë BE-në një krijesë të jashtëzakonshme politike”, tha Rama.
“E solla këtu këtë për të thënë se për ne shqiptarët ka qenë përgjithësisht më e thjeshtë dhe mbetet më e thjeshtë pse-ja e domosdoshmërisë së të qenit anëtar të BE-së. Për ne shqiptarët të qenit anëtarë të BE-së është të qenit të lirë nga hija e historisë sonë dhe të qenit përfundimisht të sigurtë se liria jonë individuale dhe barazia para ligjit për të cilën po bëjmë këtë përpjekje të madhe nuk do të jenë më një atribut i lëvizshëm në varësi se kush qeveris këtu në Tiranë. Lidhur me varësinë pse jemi këtu sot, kjo bëhet dhe më e qartë në këtë sfond ku jeton dhe merr frymë aktualisht BE”, u shpreh kreu i qeverisë.
Duke komentuar punën e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, Rama tha se fillimisht u pa me skepticizëm, ndërsa shtoi se tashmë është e qartë dobia e këtij komisioni për konsolidimin e gjithë këtij procesi dhe progresi të bërë në funksion të antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit.
“Qysh prej nisjes së punës së Komisionit, e cila u shoqërua me konfuzion me mosbesim, me teori konspiracioni të cilat fatkeqësisht prekën edhe miqtë përfaqësues të komunitetit demokratik këtu në Tiranë, është shumë interesant se si Tirana, Shqipëria ka kapacitetin t’i infektojë miqtë që vijën nga vende shumë më të ftohta me atë sharmin dhe shijen thashethemeve. Kjo bëri që komisioni të hyjë në një fazë ku nga një anë në besonim shumë dhe sot është e qartë besoj në dobinë tij ekzkatësisht në funksion të një fjale, që është fjala konsolidim, i konsolidim i të gjithë këtij procesi dhe progresi të bërë në funksion të antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit, përmes mirëqeverisjes në tërësi dhe qysh prej 27 majit ku komisioni ka nisur punën ne sot jemi në një nivel tjetër”, tha Rama.
Kryeministri vuri theksin tek reformat që po zbaton Shqipëria. Duke përmendur progresin në luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen, Rama theksoi se procesi i negociatave tashmë ka hyrë në një fazë më të avancuar.
“Kemi hapur zyrtarisht dy grup-kapitujt e negociatave, kemi ambicien të hapim të tjerë në vijim dhe jemi pozicionuar më mirë se asnjëherë në të gjitha renditjen evropiane në fushat e mirëqeverisjes dhe antikorrupsionit. U përmend këtu nga Valentina vlerësimi i GREKO-s për parandalimin e korrupsionit, vlerësim që na ngjiti 18 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit në Transparency International, vlerësim që nga ana tjetër u bë edhe nga SIGMA, që na vendosi qartësisht si një vend lider në rajon për administrimin e financave publike, për prokurimet publike, menaxhimin e burimeve njerëzore”, tha Rama.
Rama tha se Shqipëria nuk duhet ta humbasë këtë mundësi historike.
“Konsolidimi i domosdoshëm i gjithçkaje është në proces pasi gjithçka është ende e kthyeshme, e brishtë, vulnerabël dhe për këtë arsye na duhet BE – me çdo kush dhe çmim. Na duhet të hyjmë në atë derë që është hapur si mundësi jo vetëm reale, por edhe aktuale, e hapur me dhe deri në fund të 2027-s të mbyllim negociatat si vullnet i dyanshëm dhe mund të mbyllet ajo derë nëse nuk e shfrytëzojmë hapësirën e kohës që kemi në dispozicion. Mund të mbyllet, sepse historia e zgjerimit tregon se ajo derë hapet dhe ajo derë mbyllet. Historia e zgjerimit tregon se fatet e vendeve që duan të hyjnë në atë derë dhe vendeve që janë pas asaj dere jo gjithmonë përputhen”, u shpreh Rama.
Rama deklaroi se “Shqipëria ka vetëm një zgjedhje, vetëm një plan, një rrugë që është Bashkimi Evropian”.
“Për ne është shumë e qartë, se ne nuk jemi perëndimorë të përkëdhelur nga fati. Ne nuk jemi rritur aty dhe ashtu si janë rritur ata që janë rritur në Evropën e viteve ’70-’80. Ne jemi rritur në ferr dhe ne e dimë shumë mirë BE është shumë më tepër se sa një bankomat”, shtoi Rama.
Ai vuri në dukje se Shqipëria nuk mund ta shikojë BE-në me sytë e të shkuarës.
“Ne e dimë shumë mirë që BE është vendi i shpëtimit tonë nga historia jonë. Ne e kemi shumë të qartë që BE është edhe këndi nga ne duhet të shohim vetë historinë tonë. Ne nuk mund ta shikojmë BE-në me sytë e të shkuarës ne duhet të shohim të shkuarën me sytë e BE=-së. Për ne kjo është shumë e qartë. Prandaj dera që është hapur duhet shfrytëzuar sa pa u mbyllur”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “jam këtu për ta konfirmuar këtë fuqimisht bashkë me gjithë të tjerët. Besojmë pa kushte në këtë proces, e dimë shumë mirë që BE nuk është një park ku shkohet për qejf, është një familje jo e lehtë për të qenë pjesë, por ama është e vetmja familje ku ne mund të jemi përfundimisht të sigurt dhe ku ne mund të kemi përfundimisht një të ardhme të pakërcënuar përditë nga e shkuara”.