Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural sqaroi sot situatën e gripit të shpendëve (Influencës Aviare) në dy stabilimente në zonën e Durrësit, duke theksuar se janë marrë masat e menjëhershme për eliminimin dhe asgjësimin e sigurt të 497 986 krerëve shpendë të ngordhur, me një nga metodat bazuar në aktet ligjore në fuqi.
Sipas MBZHR-së, asgjësimi është bërë në zbatim të ligjit “Për shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i cili parashikon groposjen ose djegien e kadavrave të kafshëve në qendrat e përpunimit, pas ngordhjes, sipas rregullave sanitaro-veterinare.
Qendrat përcaktohen nga organet e qeverisjes vendore, me pëlqimin e shërbimit veterinar rajonal dhe agjencive shtetërore përgjegjëse për mjedisin.
Groposja ose djegia e kadavrave të kafshëve në qendrat e përpunimit, post mortem, kryhet nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar.
Në zbatim të Urdhrit “Për miratimin e Planit të Kontingjencës për Sëmundjen e Gripit të Shpendëve (Influenca aviare)” i cili parashikon:
Eliminimin nëpërmjet groposjes dhe në një qendër përpunimi i karkasave, vezëve mbeturinave shtazore, ushqimit, plehut sipas legjislacionit në fuqi.
Procesi i asgjësimit të ngarkesave të kafshëve të ngordhura ose të eliminuara në qendrat e përpunimit, ndiqet nga veterineri zyrtar i Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, një përfaqësues nga Drejtoria Rajonale e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe një përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
“Asgjësimi/trajtimi i kadavrave kryhet: me groposje; në një qendër përpunimi (rendering) që i asgjëson/trajton kadavrat e kafshëve: me incenerim; me eliminim në një landfill të autorizuar pas transformimit nëpërmjet sterilizimit nën presion; si lëndë djegëse pas përpunimit; për prodhimin e fertilizantëve organikë ose përmirësuesve të tokës pas përpunimit nëpërmjet sterilizimit nën presion kur është e mundur dhe bëhet markimi i përhershëm i materialeve përfundimtare”.