Në prag të sezonit turistik, në dy nga portet e vendit kanë mbërritur kroçerat e parë me turistë të huaj.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ndau në rrjetet sociale pamje nga mbërritja e korçerës “Hamburg” në portin e Vlorës.
“Nga deti dhe nga toka, turistë nga e gjithë bota e kanë nisur tashmë sezonin në Vlorë. Që në agim, kanë mbërritur sot rreth 300 vizitorë nga Franca, Anglia e Belgjika, me kroçerën Hamburg, që do të vizitojnë pika të ndryshme të vendit tonë”, shkruan Dredha.
Ditën e djeshme një tjetër kroçerë ndaloi në portin e Sarandës, ku turistët vizituan pikat turistike të saj si dhe qytetin e Gjirokastrës.
Drejtori i portit të Sarandës, Alket Qendro tha për ATSH-në se “kroçera gjermane “Plan Tour” me 270 turistë të kombësive të ndryshme vizitoi Sarandën. Në fokus të vizitës së tyre ishte qyteti antik i Butrintit, pika të ndryshme dhe atraksione turistike brenda qytetit të Sarandës, si: sinagoga ebraike, Muzeu i Traditës, Galeria e Artit etj., si dhe Syri i Kaltër, Rrepet e Karahaxhit etj”.
Çdo vit vjen duke u shtuar numri i kroçerave që vizitojnë portet e Vlorës, Sarandës dhe Durrësit. Disa nga arsyet e fluksit të vizitorëve me kroçera janë plazhet e kristalta të detit Jon dhe trashëgimia e pasur kulturore e Shqipërisë.
