Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë vizitës që ka zhvilluar të mërkurën në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) është njoftuar se punimet e remontit në Bllokun B1 në TC Kosova B, po zhvillohen sipas planit të paraparë.
Sipas një njoftimi në rrjetin social në Facebbok bëhet e ditur se ministrja tha se me investimet që do të bëhen brenda vitit 2025, do ta rrisin kapacitetin e kësaj njësie për rreth 15 WW.
“Në KEK vizitova punimet e remontit në Bllokun B1 në TC Kosova B, i cili po zhvillohet sipas planit dhe i paraprin fillimit të modernizimit të turbinës në Bllokun B2 që do të fillojë në fund të prillit. Investimet e këtij viti do t’ia rrisin kapacitetin e kësaj njësie për rreth 15 MW, ndërsa me përfundimin e plotë të rehabilitimit, TC Kosova B do t’i rritet kapaciteti për 80 MW, prodhimi vjetor për 600 GWh, si dhe jetëgjatësia për 20 vite”, tha ajo.
Tutje në postim thuhet se Rizvanolli u informua edhe për rrjedhjet që ndodhën në Bllokun B2, me ç’rast i njëjti ishte dashur të nxirret jashtë funksionit të martën pas mesnate.
Ajo falënderoi punëtorët dhe menaxhmentin, të cilët po punojnë paralelisht në remontin e Bllokut B1 dhe në sanimin e rrjedhjes në Bllokun B2.