Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi mori sot vendim lidhur me administrimin e votës së diasporës, në kuadër të pretendimeve të ngritura nga Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca Shqipëria Madhështore për votat e ardhura nga Greqia.
Në vendimin për administrimin e zarfit “b”, pjesë përbërëse e dokumentacionit të votimit nga jashtë, në rastin kur ai nuk vlerësohet nga GNVJ (Grupet e Numërimit të Votave nga Jashtë) dhe KANVVJ (Komisioni i Administrimit e Numërimit dhe Vlerësimit të Votave nga Jashtë) thuhet se, “kur gjatë procesit të vlerësimit të dokumentacionit zgjedhor nga jashtë, GNVJ dhe/ose sipas rastit KANVVJ nuk vlerëson zarfin/zarfet “B” pjesë të këtij dokumentacioni, atëherë ky zarf/zarfet futen në një kuti sikurse kutia e votimit brenda vendit. utia mbyllet me vula me kode sigurie, numrat e të cilave shënohen në një procesverbal, origjinali i të cilit dorëzohet në KQZ rast pas rastit”.
Vlerësimi i zarfeve “B” të administruar sipas këtij akti, i nënshtrohet procesit të shqyrtimit të mëtejshëm sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor dhe akteve të dala në bazë e për zbatim të tij.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve brenda tre ditëve nga shpallja e tij.