Shkup, 23 maj – Realizimi i projekteve do të mbështetet nga ekspertë të nivelit të lartë nga Mbretëria e Bashkuar të cilët do të sigurojnë realizimin cilësor dhe në kohë të projekteve, ndërsa nga ana tjetër do të rrisin cilësinë e kompanive ndërtimore në Maqedoni dhe do të sjellin dije dhe përvoja të reja në vend, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski në një intervistë për RTVM.
Ai njoftoi se në pjesën e ndërtimit të hekurudhës së shpejtë, do të merret mbështetje teknike nga kopmpania e Britanisë së Madhe që ka ndërtuar metron më të sofistikuar dhe të digjitalizuar në Londër.
“Gjatë çdo vizite në Londër flas shumë për mbështetjen teknike, që është shumë e rëndësishme për mua dhe po aq e rëndësishme sa edhe komponenta financiare. Sa i përket hekurudhës, jemi duke biseduar për të marrë mbështetje teknike nga kompania më e fuqishme në Britaninë e Madhe, bëhet fjalë për ‘Cossrail’. Kjo është kompania që ndërtoi linjën më të re dhe më të gjatë në Londër, linjën e parë të digjitalizuar të metros në këtë pjesë të botë – linjën e metros ‘Elizabet’ e quajtur sipas Mbretëreshës Elizabetë. Pra, flasim për ekspertizë të atij niveli dhe për një projekt prej 20 miliardë paundë që është katër herë më i madh se marrëveshja që kemi ne. Me këta njerëz jemi në negociata që të vijnë të na ndihmojnë, sepse një ndihmë e tillë është me efekte të dyanshme. Njëra në afat të shkurtër siguron realizim të sigurt dhe cilësor të projektit, ndërsa e dyta trajnon personelin për të ardhmen”, tha Nikolloski.
Në Maqedoni, siç vërehet, mungojnë kuadro të kualifikuar me përvojë.
“Për fat të keq, për shkak të viteve të shkatërrimit që kanë ndodhur për dekada me radhë, në Maqedoni sektori ndërtimor pothuajse është rrënuar, shumë kompani kanë falimentuar dhe shpresoj që me këtë projekt t’i fusim sërish në një fazë ku do të jenë konkurrues në nivel ndërkombëtar, siç kanë qenë dikur dhe prandaj, ky aspekt i transferimit të njohurive është shumë i rëndësishëm”, theksoi Nikolloski.