Shkup, 14 shtator – Nxënësit tashmë dy javë ndjekin procesin edukativo-arsimor, por e njejta gjë nuk vlen për të gjithë nxënësit me aftësi të kufizuara për të cilët akoma nuk ka filluar viti akademik 2024/2025, pasi asistentët arsimor nuk kanë filluar punën për këtë kategori të nxënësve.
Sipas drejtorëve të shkollave në vend, nga java e ardhshme pritet që të fillojnë me punë asistentët arsimorë dhe këto nxënës të ndjekin mësimin si të gjithë fëmijët e tjerë.
Për shkak të përgatitjes së dokumenteve të nevojshme, viti shkollor për këta nxënës do të fillojë me vonesë. Sipas psikologëve, shumica e fëmijëve që regjistrohen nëpër qendrat për shërbime psikologjike, defektologjike dhe logopedike janë të diagnostifikuar me autizëm, prandaj është e nevojshme që të angazhohen ekipe profesionale nëpër shkolla që fëmijët të kenë mundësi ta përvetesojnë materialin shkollor.
“Kohën e fundit diagnoza e cila është më shumë prezente është ajo e autizmit. Duke ditur se nevojat e tyre janë shumë të mëdha për mbështjetje, për asistencë në përvetësimin e materialeve edukativo-arsimore, duke marrë parasysh që materialet nuk bëhen me një plan individual të përvetësuar vetëm për fëmijët me pengesa në zhvillim sepse inkluzioni përfshin të gjithë fëmijët në një klasë, patjetër që të angazhohet edhe ekipi profesional në shkollë bashkë me mësuesen poashtu edhe një asistent personale arsimore, e cila do ta ndihmojë fëmijën në përvetësimin e materialeve, të cilat janë të vështira pa ndihmën e një asistenti. Fëmija derisa rritet dhe kalon nga një klasë në tjetrën vështirësitë bëhen edhe më të patejkalueshme nëse ai nuk ka një person i cili merret me të njejtin”. – deklaroi Drejtoresha e Qendrës “Savant”, Hatixhe Sefa.
Sipas ministrisë së arsimit, nëse ndodh që një nxënës me aftësi të kufizuara të mos ketë asistent edukativ që në ditën e parë të shkollës, shkollat janë të detyruara që nëpërmjet ekipit gjithëpërfshirës të shkollës dhe në bashkëpunim me qendrat burimore t’i ofrojnë nxënësit mbështetjen e nevojshme për një fillim të suksesshëm të procesit arsimor.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ditë më parë njoftoi se në vitin e ri akademik 2024/2025, në shkollat e rregullta fillore do të punësohen mbi 1000 asistentë arsimorë, të cilët do të ndihmojnë në përmirësimin e procesit arsimor të nxënësve me aftësi të kufizuara dhe do t’i ndihmojnë ata në kryerjen e detyrave të përditshme shkollore. Sipas Rregullores për normat, përshkrimin e kompetencave dhe detyrave të punës së asistentit, një ndihmës edukativ mund t’u ofrojë mbështetje një deri në tre nxënësve me aftësi të kufizuara në të njëjtën klasë.