Tiranë, 01 tetor, argument.mk/ – Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se mazhoranca ka bllokuar në Konferencën e Kryetarëve zhvillimin e një mocioni me debat në Kuvend lidhur me përfshirjen e krimit të organizuar në Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH).
Në një deklaratë për mediet nga Kryesia e Kuvendit, Bardhi tha se çështja lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare dhe se Kuvendi ka përgjegjësi kushtetuese për kontrollin e institucioneve shtetërore.
Bardhi tha se Kuvendi, në kuadër të funksionit të tij kontrollues mbi pushtetin ekzekutiv dhe institucionet qendrore shtetërore, duhet të diskutojë mbi shkaqet, pasojat dhe masat që duhen marrë për të garantuar funksionimin e SHISH.
“Për Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, kapja e Shërbimit Informativ Shtetëror nga krimi i organizuar dhe marrëdhënia e shefes së Shërbimit Informativ Shtetëror me një kreun e një organizate, një grupi të strukturuar kriminal, padyshim që cenon sigurinë kombëtare”, theksoi Bardhi.
“Kuvendi në përputhje me legjislacionin në fuqi, konkretisht ligjin e miratuar në vitin 2024 për strategjinë për sigurinë kombëtare, ka kompetenca të mirëpërcaktuara për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe është brenda fushës së vet të kompetencës që të debatojë mbi arsyet që çuan në rënien e Shërbimit Informativ Shtetëror, masat që do duhen merren për të mos u cenuar veprimtaria e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe sigurisht edhe për të verifikuar se çfarë pasojash kanë ardhur nga kontrolli që krimi i organizuar i ka bërë institucionit kyç të sigurisë në vend, Shërbimit Informativ Shtetëror”, tha ai.
Kreu i grupit parlamentar demokrat theksoi se çështja penale i përket drejtësisë, ndërsa Kuvendi, sipas tij, duhet të ushtrojë funksionin e kontrollit parlamentar dhe të kërkojë transparencë mbi mënyrën se si është cenuar apo jo siguria kombëtare.
“Unë dua ta dënoj në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike bllokimin që mazhoranca i ka bërë kësaj kërkese për të zhvilluar një mocion me debat në Kuvend. Është e paimagjinueshme për një Republikë parlamentare që Kuvendi të jetë i vetmi institucion që shmanget nga përgjegjësia në raport me sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Kjo nuk është një çështje e drejtësisë, çështja e drejtësisë është çojë përpara pas hekurave dhe përpara përgjegjësisë ligjore cilindo që ka kryer një vepër penale. Kuvendi nuk e ka këtë të drejtë, nuk e ka këtë kompetencë, por Kuvendi ka kompetencën e kontrollit mbi pushtetin ekzekutiv, mbi institucionet qendrore shtetërore, përfshirë atë të Shërbimit Informativ Shtetëror, dhe në kuadër të këtij funksioni kontrollues ka përgjegjësinë të diskutojë për një nga aktet më të paprecedent në një vend demokratik: Shqipëria është vend anëtar i NATO-s”, tha ai.
Sipas tij “transparenca mbi këtë çështje është mekanizmi i duhur për të parandaluar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen”.

