Tiranë, 16 nëntor, argument.mk/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”.
Pas daljes nga ambientet e SPAK, Berisha komentoi edhe protestën që pritet të mbahet më 28 nëntor, duke theksuar se nuk dëshiron që ajo të identifikohet si një protestë e organizuar apo e drejtuar prej tij.
Berisha u shpreh se ka qenë ndër protestuesit më aktivë në vend, ndërsa theksoi se bën dallimin mes protestave qytetare dhe atyre partiake.
Sipas tij, demokratët janë gjithmonë të parët që i bashkohen protestave popullore, por ai nuk dëshiron që prania e tij t’i japë protestës së 28 nëntorit një karakter politik apo partiak.
“Janë dy lloj protestash: protesta popullore qytetare, në të cilat demokratët janë të parët që marrin pjesë, dhe janë protestat partiake. Dhe të them unë tani, se dalja ime nuk do të ishte një akt politizimi i një proteste qytetare, nuk është realiste. Nuk dua që një protestë qytetare të quhet protestë e Sali Berishës”, tha ai.
Megjithatë, Berisha theksoi se do të angazhohet me të gjitha mundësitë e tij për të kontribuar në suksesin e protestës, duke shtuar se mbështetja e tij është e faktuar.

