Tiranë, 02 tetor, argument.mk/ – Deputetët e opozitës në komisionin e Ligjeve kërkuan sot që reforma administrativo-territoriale të mos jetë e njëanshme por të merret në shqyrtim edhe propozimi i Partisë Demokratike për organizimin e territorit me 100 bashki.
Në mbledhjen e sotme të komisionit të Ligjeve është në rend dite prezantimi i gjetjeve të konsultimit publik, të bërë nga komisioni i posaçëm për reformën administrativo-territoriale.
Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi kërkoi ndalimin e shqyrtimit të projektligjit në komision nisur nga fakti se nisma e opozitës ka kaluar për konsultim publik në këshillat bashkiakë.
“Ky proces nuk mund të vazhdojë meqë ka një nismë nga një grup deputetësh që i jep mundësi shqiptarëve ta kenë bashkinë e tyre shumë herë më afër se sa sot, pasi PD propozon 100 bashki”, u shpreh Bylykbashi.
Sipas tij, nisma e PD-së është depozituar zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë ndaj ky proces nuk mund të vazhdojë.
“Duhet të presim qëndrimin e bashkive në lidhje me projektligjin e ri. Këshillat bashkiakë duhet të shprehen përfshirë dhe ato këshilla bashkiakë që ju thoni që nuk do jenë nesër. Vetëm atëherë Kuvendi do të jetë në gjendje të shqyrtojë si duhet dy nismat ligjore që janë për të njëjtën çështje. Njëra mbështet centralizimin dhe tjetra decentralizimin”, shtoi Bylykbashi.
Edhe deputetja e PD-së Jorida Tabaku vuri në dukje se nuk ka një produkt të përbashkët nga komisioni, por ka një produkt të njëanshëm.
Sipas saj, bashkia e Tiranës është 1/3 e vendit dhe kjo bashki nuk është konsultuar.
“Ky është konsultimi për Tiranën? Nuk mund at lëmë Tiranën të padëgjuar. Nuk ka asnjë konsultim për Tiranën. Do bëni një reformë territoriale dhe nuk keni konsultuar Tiranën që është 1/3 e vendit”, tha Tabaku.
Tabaku nënvizoi se reformat e njëanshme janë të destinuara të dështojnë.
“Ka dështuar çdo gjë e njëanshme që ka ardhur në parlament. Ka dy iniciativa në parlament sipas rregullores. Nuk jemi vonë për të bërë një reformë që i përgjigjet qytetarit”, shtoi ajo.
Ndërsa kryetari i komisionit, deputeti socialist Ulsi Manja kujtoi se prezantimi i gjetjeve në komision ka lidhje me nismën e paraqitur nga grupi i deputetëve të Partisë Socialiste.

