Shkup, 27 tetor, argument.mk/ – Policia Financiare ka ngritur kallëzim penal kundër dy personave dhe dy kompanive, nën dyshimet për shkaktim të qëllimshëm të falimentimit, me qëllim shmangien e borxheve ndaj kreditorëve.
Sipas hetimit, pronari i një kompanie nga Vallandova dyshohet se gjatë periudhës 2020–2023 ka ndërmarrë veprime për ta paraqitur kompaninë si financiarisht të paaftë, për të shmangur pagesën e borxheve që arrijnë në mbi 290 milionë denarë, kryesisht ndaj një kompanie të huaj.
Sipas Policisë Financiare, pronari kishte lidhur një kontratë qiraje me një kompani tjetër që gjithashtu e drejtonte vetë. Edhe pse kontrata nuk ishte realizuar, pas ndërprerjes së saj ishin regjistruar penalitete prej 233.7 milionë denarësh dhe ishte vendosur barrë mbi pasurinë e kompanisë. Gjykata më pas kishte ndaluar ekzekutimin pas kundërshtimit të kreditorëve.
Pasi nuk kishte arritur ta tjetërsonte pasurinë, ai dyshohet se, me ndihmën e një personi tjetër, kishte transferuar 4 milionë denarë në emër të një huaje dhe më pas kishte kërkuar hapjen e procedurës së falimentimit.
Rasti i është dorëzuar Prokurorisë në Veles për procedim të mëtejshëm. Përgjegjësia penale e të kallëzuarve mbetet për t’u vërtetuar në procedurë gjyqësore.

