Disa ushtarakë tashmë kanë kërkuar rikthimin e shërbimit ushtarak, të cilin shumë vende të BE-së ose e hoqën ose e pezulluan pas Luftës së Ftohtë. Ka shumëçka për të thënë për këtë, si nga këndvështrimi pragmatik ashtu edhe nga ai demokratik
Nga Cas MUDDE
Derisa Donald Trumpi po i afrohet përfundimit (zyrtar) të garës për nominimin republikan dhe derisa po i intensifikon sulmet e veta ndaj NATO-s, politikanët evropianë më në fund kanë filluar të shfaqin haptas shqetësimin e tyre për të ardhmen e sigurisë evropiane, në përgjithësi, dhe të NATO-s në veçanti. Siç ka shpjeguar me elokuencë ish-ambasadori i ShBA-së në NATO, Ivo Daalder, presidenca e dytë e Trumpit mund të mos nënkuptojë patjetër fundin e aleancës, por do ta ndryshonte rrënjësisht atë dhe kjo do të thotë se evropianët kryesisht duhet ta mbrojnë veten.
Gjatë administratës së tij të parë, Trumpi e bëri të qartë se sulmet e tij ndaj NATO-s nuk ishin thjesht propagandë për bazën gjithnjë e më izolacioniste të Partisë Republikane. Si president, ai i tronditi edhe liderët më pro-ShBA në Evropë duke refuzuar të konfirmojë nenin 5 të NATO-s – me fjalë të tjera, duke thënë se ShBA-ja nuk do t’i dalë në ndihmë vendit tjetër të NATO-s në rast të sulmit. Kjo bëri që kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel – një transatlantiste e vendosur – të deklarojë haptas se Evropa duhet të jetë e gatshme të ecën e vetme. Por, për shtatë vjet dhe me pushtimin (e dytë) rus të Ukrainës më vonë, Evropa është larg nga të qenit gati.
Sigurisht, buxhetet e mbrojtjes të (disa) vendeve anëtare të BE-së janë rritur dhe brengat ushtarake janë në qendër të diskutimeve politike, por pa përgjigje janë disa prej pyetjeve kryesore rreth sigurisë evropiane. A duhet të krijohet një aleancë ushtarake evropiane dhe, nëse po, a duhet të jetë pjesë e NATO-s? Nëse po, cili duhet të jetë roli i saj dhe cilat përgjegjësi të reja do t’i kishte ShBA-ja ndaj Evropës? Nëse jo, cila do të ishte marrëdhënia me Mbretërinë e Bashkuar, një nga vendet e pakta evropiane me ushtri të qëndrueshme dhe me aftësi bërthamore?
Pavarësisht nga forma e saj specifike dhe marrëdhënia me NATO-n (si dhe me Mbretërinë e Bashkuar dhe me ShBA-në), patjetër që është e rëndësishme që zhvillimi i infrastrukturës së re ushtarake evropiane të mos jetë projekt i elitave. Politikanët dhe ekspertët ushtarakë padyshim që tani i diskutojnë shumë nga këto çështje kyçe, por pak nga kjo bëhet në publik. Dhe, teksa shqetësimet e sigurisë kombëtare justifikojnë fshehtësinë për disa detaje, është jetike – si për demokracinë ashtu edhe për mbrojtjen evropiane – që këto diskutime të bëhen pjesë e debatit më të gjerë politik. Të paktën janë dy arsye për përfshirje më të gjerë të publikut në formimin e një “ushtrie” të re “evropiane”: pranimi popullor dhe kontrolli demokratik.
Ndërtimi i ushtrisë së re evropiane kërkon shuma masive të parave dhe një numër të konsiderueshëm të personelit. Nëse ka një gjë në të cilën kritika e Trumpit ishte e vlefshme, ishte ajo se shumica e anëtarëve evropianë të NATO-s kanë qenë kryesisht shpërfillës për nivelin e enorm të shpenzimeve ushtarake të ShBA-së. Forca mbrojtëse evropiane që është më pak e varur nga ShBA-ja kërkon rritje të konsiderueshme të shpenzimeve ushtarake në nivel kombëtar dhe mundësisht edhe në nivel tejkombëtar. Dhe, derisa shpenzimet e përgjithshme të mbrojtjes janë rritur në të gjithë BE-në, shumica e anëtarëve të NATO-s mbeten nën pragun (tashmë të ulët) prej dy përqind për të cilin nënshkruan në samitin e NATO-s më 2014. Natyrisht, këto janë paratë që nuk mund të shpenzohen për çështjet e tjera. Prandaj, si pjesë e debatit politik, prioriteti i shpenzimeve ushtarake duhet të shpjegohet dhe të mbrohet para popullatës.
Por, më e rëndësishmja, për ta bërë Evropën ushtarakisht më pak të varur nga ShBA-ja, ndjeshëm duhet të rritet numri i trupave. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, numri i personelit ushtarak të BE-së është ulur me pothuajse dy të tretat. Aktualisht, ushtria më e madhe e një shteti anëtar të BE-së (Franca) është vetëm sa një e gjashta e madhësisë së ushtrisë amerikane. Në fakt, numri i personelit ushtarak amerikan është afërsisht i barabartë me numrin e të gjitha vendeve të BE-së së bashku. Për të kompensuar mungesën e ShBA-së, ose të paktën gatishmërinë e kufizuar, BE-ja duhet të dyfishojë – nëse jo të trefishojë – numrin e trupave të veta. Edhe nëse britanikët do të ishin të gatshëm për bashkim, 140 mijë trupat e tyre – afërsisht – nuk do ta ndryshonin këtë gjendje. Për ta arritur këtë, jo vetëm që duhen më shumë para, por edhe përmirësimi serioz në tërheqjen për karrierë ushtarake. Derisa ushtria është ndër institucionet më të besuara publike në shumë vende evropiane, kjo nuk do të thotë se karriera në ushtri konsiderohet disi tërheqëse ose prestigjioze. Dhe, deri tash, lufta Rusi-Ukrainë ka çuar në rënie të rekrutimit – në vend të rritjes – midis ushtrive të BE-së, pavarësisht fushatave qeveritare.
Disa ushtarakë tashmë kanë kërkuar rikthimin e shërbimit ushtarak, të cilin shumë vende të BE-së ose e hoqën ose e pezulluan pas Luftës së Ftohtë. Ka shumëçka për të thënë për këtë, si nga këndvështrimi pragmatik ashtu edhe nga ai demokratik. Ushtria më e vogël profesionale dhe e përhershme – e mbështetur nga forca më e madhe dhe e përkohshme civile – ka kosto më efektive, është më fleksibile në aspektin operacional dhe ka bazë popullore. Por, do të kërkojë gjithashtu mbështetje shumë më të gjerë popullore, veçanërisht nga të rinjtë të cilët duhet të kryejnë shërbimin ushtarak. Kjo nuk lehtësohet nga fakti se shumica e politikanëve – që do t’ju bëjnë thirrje të rinjve për të bërë këtë investim – vetë nuk e kanë kryer shërbimin ushtarak. Për fund, Evropa nuk duhet të bëjë të njëjtin gabim si ShBA-ja dhe të ndërtojë një kompleks ushtarako-industrial që krijon mbytje në ekonomi dhe në politikë. Siç tha në mënyrë profetike presidenti amerikan Dwight D Eisenhower – vetë gjeneral legjendar me pesë yje i ushtrisë amerikane – në fjalimin e tij lamtumirës në vitin 1961: “Duhet të mbrohemi nga ndikimit jozyrtar – qoftë i dëshirueshëm ose jo – i kompleksit ushtarak-industrial”. Kjo mund të arrihet vetëm përmes kontrollit demokratik, i cili në vetvete është i mundur vetëm me një nivel të lartë llogaridhënieje dhe transparence. Fatkeqësisht, shumica e vendeve kanë lëvizur pikërisht në anën tjetër – që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit – duke rritur autoritarizmin, fshehtësinë dhe mbikëqyrjen.
Në prag të zgjedhjeve evropiane në qershor, Partia Popullore Evropiane e krahut të djathtë e ka kthyer fokusin e vet te mbrojtja, duke sugjeruar krijimin e një posti të “komisionerit të mbrojtjes” në nivel të BE-së, si dhe një “ombrellë bërthamore” evropiane. Ky është fillim i mirë, por e majta nuk duhet që këtë çështje vendimtare ta lë tek e djathta. Si e djathta joliberale ashtu edhe ajo neoliberale do ta favorizojnë një kompleks kryesisht të pakontrolluar ushtarako-industrial. I takon (qendrës së majtë) të zhvillojë dhe mbrojë planin për një ushtri evropiane që gjen pozitën demokratik midis pacifizmit dhe militarizmit.]
(Autori është profesor në Universitetin e Gjorgjisë dhe autor i librit “The Far Right Today”)