Kryeministri i ri i Francës, Francois Bayrou, ka shprehur dëshirën e tij për të formuar një qeveri të re “në ditët në vijim” me konsultimin e presidentit Emmanuel Macron, transmeton Anadolu.
Bayrou i bëri këto komente gjatë një seance pyetje-përgjigje në dhomën e ulët të parlamentit, respektivisht në Asamblenë Kombëtare, kryesisht në lidhje me situatën në ishullin jashtë shtetit Mayotte, i cili u shkatërrua nga cikloni ‘Chido’ gjatë fundjavës.
“Unë synoj t’i sugjeroj presidentit formimin e qeverisë, gjë që shpresoj ta bëj në ditët në vijim”, u tha kryeministri ligjvënësve gjatë seancës.
Sipas transmetuesit ‘BFMTV’, Macron dhe Bayrou u takuan sot më herët për të diskutuar përpjekjet për të formuar një qeveri të re.
Bayrou tashmë nga dje ka nisur bisedimet me partitë politike.
Ai gjithashtu u zotua se nuk do të braktisë çështjen e buxhetit pasi ligjvënësit kundërshtuan projektligjin e buxhetit të paraardhësit të tij Michel Barnier për vitin 2025, i cili u pasua nga një votë mosbesimi që rezultoi në largimin e tij, duke e lënë vendin pa buxhet për vitin e ri.
Më 4 dhjetor, votimi i mosbesimit erdhi dy ditë pasi Barnier përdori kompetencat e tij diskrecionale për të miratuar projektligjin e diskutueshëm të buxhetit të sigurimeve shoqërore pa votim në parlament.
Pas rënies së qeverisë, Macron njoftoi se një ligj i veçantë buxhetor duhet të debatohet dhe miratohet nga ligjvënësit deri në fund të këtij viti përpara se të fillojë puna për një buxhet të ri për vitin 2025.
– Paqëndrueshmëria politike ndjek vendin që nga qershori
Vendi ka qenë në trazira politike që nga qershori kur blloku centrist i presidentit Macron dështoi dhe partia e ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar (RN) fitoi zgjedhjet e Parlamentit Evropian.
Në përgjigje, Macron bëri thirrje për dy raunde të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 30 qershor dhe 7 korrik, por asnjë parti nuk fitoi 289 vende, respektivisht pragun për të arritur një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare.
Aleanca e krahut të majtë Fronti i Ri Popullor (NFP) fitoi shumicën e votave dhe vendeve në parlament në raundin e dytë dhe më vonë këmbënguli se kryeministri duhet të ishte nga aleanca, por nuk arriti të propozonte një kandidat me konsensus për postin menjëherë.
Pas disa javësh ndarjesh të brendshme, NFP-ja emëroi Lucie Castets për kryeministre më 23 korrik.
Megjithatë, Macron refuzoi një kandidat të krahut të majtë dhe tha se ai nuk do të emëronte një kryeministër deri në mes të gushtit pas Olimpiadës së Parisit.
Ai u përball me kritika për vonimin e procesit, duke nxitur paqëndrueshmëri të mëtejshme pasi pranoi dorëheqjen e kryeministrit të atëhershëm Gabriel Attal më 16 korrik, pasi fillimisht e refuzoi atë më 8 korrik.
Më 5 shtator, Macron më në fund emëroi si kryeministër Barnierin, një politikan i qendrës së djathtë, ish-komisar evropian dhe ish-ministër i Jashtëm.
Qeveria e Barnierit u bë e para që u rrëzua me një votë mosbesimi që nga viti 1962 dhe zgjati vetëm tre muaj.