Baku, 18 nëntor, argument.mk/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, këmbënguli se Evropa duhet të jetë pjesë e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, përpara takimit të planifikuar nesër mes udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë dhe Kinës.
“Pres dhe nuk kam asnjë arsye të dyshoj se bisedimet për të ardhmen e Ukrainës, do të zhvillohen mes Rusisë dhe Ukrainës, me pjesëmarrjen e Evropës”, deklaroi sot Wadephul gjatë takimit me homologun e tij azerbajxhanas, Jeyhun Bayramov, në Baku.
Wadephul paralajmëroi se pa përfshirjen e Evropës, do të ishte e pamundur të arrihej një marrëveshje e qëndrueshme, e cila do të parandalonte shpërthimin e një konflikti tjetër pas përfundimit të luftës.
Ministri gjerman mirëpriti takimin e ardhshëm mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin, në qytetin Shenzhen, në jug të Kinës.
“Si përgjegjës për politikën e jashtme, do të thosha se çdo bisedë që zhvillohet është një gjë pozitive”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, Bayramov tha se takimi duhet marrë seriozisht, ndër të tjera pasi të tria vendet, janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Sipas tij, bota pret zgjidhje për konfliktet dhe luftërat urgjente.

