Shkup, 3 janar – Deputeti Halil Snopçe nga radhët e Aleancës për Shqiptarët është anëtar i Komisionit parlamentar për punë të jashtme, komision që ka rëndësi të veçantë në bashkëpunimin ndërkombëtar të orgait ligjëvënës, por edhe të vendit në përgjithësi.
Në intervistën për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal realizuar në kuadër të projektit “Mos besoni në dezinformata, ne jemi NATO”, Snopçe flet për zhvillimet pozitive që janë vërejtur në normalizimin e raporteve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, si problem i kamotshëm, pas anëtarësimit të vendit në NATO.
“Në aspektin e kontributit që ka dhënë anëtarsimi në NATO në normalizimin e raporteve ndëretnike në vend, do kisha thënë se ka qenë në drejtim të rritjes së besueshmërisë, sepse siguria është në nivel shumë më të lartë sepse tash më garancë për sigurinë në shtet është edhe aleanca më e fuqishme ushtarake në botë. Kjo gjithsesi ndikon pozitivisht në drejtim të relaksimit të raporteve. Çështje tjetër që ka të bëjë me këtë është aspekti që një pjesë të sovranitetit të shtetit me vet anëtarsimin në NATO i transferohet dhe varet nga vendimet që do të meren në selinë e NATOS. Pra, kjo ka të bëjë me faktin që qytetarët e kanë ndjesinë se edhe aspekti i raporteve ndëretnike duhet të forcohet si një nga shtyllat kryesore për garantimin e stabilitetit dhe të sigurisë në vend”, thekson Snopçe.
Ai, megjithatë rikujton se në këtë sferë ka ende shumë probleme që nuk ajnë tejkaluar.
“Pavarsisht rritjes së besimit, nuk mund të themi se ka përmirsim të dukshëm. Në shtetin tonë ende kemi qëndrime diametralisht të kundërta për disa çështje të cilat mund të jenë reyik në mbajtjen e raporteve të mira ndëretnike. Elitat politke maqedonase ende nuk po kuptojnë se shqiptarët duhet të trajtohen partnerë të barabartë. Nuk e kanë të qartë se shqiptarët mund të jenë faktori kryesor i destabilizimit të shtetit nëse vazhdohet me qasjne e injorimit të kërkesave të shqiptarëve. Këtu e kam fjalën për çështjen e gjuhës. Pra, nuk ka vullnet të pranohet kërkesa e shqiptarëve që gjuha shqipe mos të definohet me përqindje. Pastaj ekzistojnë edhe disa fenomene tjera të rezikshme.”, vlerëson Snopçe, duke numëruar më tej edhe raste konkrete:
“Rasti i nxënësve në Çashkë është shembulli më eklatant. Injorohet kërkesa që fëmijët shqiptarë të shfrytëzojnë të drejtën për mësim në gjuhën shqipe e garantuar me kushtetutë dhe me ligjet e shtetit si dhe me konventat universal ndërkombëtare. Paradoksi të jetë edhe më i madh kemi protesta të maqedonasve kundër realizimit të kësaj të drejte elementare. Pra, në kohën kur gjithë po flasim për integrime, në Çashkë po ndodh dezintegrimi it ë drejtave elementare. Kjo nuk kontribon në normalizimin e raporteve ndëretnike. Rast tjetër patëm rastin në Zelenikovë. Atje si pasojë e rezultateve të regjistrimit të fundit ka pasur inicijativë nga këshilltarët maqedonas që të ndryshohet statusi i Komunës që gjuha shqipe të mos jetë zyrtare, pavarsisht se asnjëherë nuk është përdorur. Kjo pasi numri i shqiptarëve ka rënë nën 20%. Fatmirësisht nuk u realizua, por ishte një tentative që nuk kontribon relaksimit të raporteve. Raste të tjera janë kur keqpërdoret përkatësia nacionale për të siguruar vende të punës. Pra, vende të garantuara për nacionalitetet tjera, po plotësohen nga maqedonas duke u deklaruar si shqiptarë. Pra, këto fenomene po vazhdojnë me intenzitet të njëjtë pavarsisht se jemi bërë anëtar të NATOS. Antarsimi në NATO nuk ka ndikuar aspak në eliminimin e këtyre fenomeneve negative në lidhje me raportet ndëretnike në shtet”.
Snopçe flet edhe për aktivitetet e Komisionit parlamentar për punë të jashtme në avancimin e raporteve me vendet e NATO-s, ku thotë se ka vend për të bë edhe shumë më tepër.
“Në mbledhjet e komisionit për mbrojtje dhe për punë të jashtme kryesisht kalojnë disa ratifikime të marëveshjeve për bashkëpunim dhe poashtu vendime për dergim të misioneve ushtarake në vende të ndryshme ku ka përfqësi te NATOs. Tjetër lloj bashkëpunimi së paku në periudhën që jam anëtar i Komisionit për punë të jashtme nuk kam vërejtur. Në kuadër të komisionit për punë të jashtme kemi pasur takime me delegacione parlamentare të shteteve të ndryshme, por kanë qenë kryesisht për bashkëpunime parlamentare dhe shtetërore, pa mos e potencuar në veçanti aspektin e bashkëpunimit me NATO. Normalisht kemi dhënë mbështetje grupeve parlamentare të shteteve që nuk janë anëtarë të NATO, se Republika e Maqedonisë së Veriut do të jep mbështjetje për ambiciet e tyre për anëtarsimin në NATO”, thekson deputeti Halil Snopçe.
Ai komenton edhe prezencën e dukurisë së lajmeve të rrejshme dhe dezinfomatave që kanë të bëjnë me NATO-n, duke vlerësuar se këto dezinformata nuk pengojnë aktivitetet e vendit në kuadër të NATO-s, por shkaktojnë dëme të caktuara.
“Informatat e rrejshme dhe dezinformatat nuk e pengojnë aspak bashkëpunimin tonë me NATO-në. Mund ta ngarkojnë kur ka raste të dezinformatave me rrezik të cilat kërkojnë procesim, konfirmim, hulumtim, por jo edhe ta pengojnë. Një dëm tjetër që shkaktojnë dezinformatat është rritja e skepticizmit ndaj NATO dhe BE tek një grup qytetarësh më të ngarkuar me nacionalizëm, ose shkaktojnë huti”, shprehet në intervistën e tij për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal, deputeti i ASH-së, Halil Snopçe./Zhurnal