Shkup, 9 maj Zhurnal.mk – VLEN, koalicion i formuar në vitin 2024-ër para zgjedhjeve parlamentare. Fronti i përbashkët fillimisht u konsolidua nga Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa, Alternativa, ASH- krahu i Taravarit dhe më pas i’u bashkangjitën edhe përfaqësues të VV-së. Koalicioni kishte synim ndryshimin dhe të sfidoj dominimin shumëvjeçar të BDI-së në pushtet. Arriti që të bëhet pjesë e qeverisë së bashku me VMRO-në dhe Lëvizjen “E Di”. Tani koalicioni po shkrihet në një parti duke ruajtur emrin VLEN, por duke ngritur edhe pyetje nëse do të paraqiste kthesë në skenën politike.
Analisti i zhvillimeve politike Ibrahim Mehmeti thotë se bëhet fjalë për një proces jo të lehtë duke pasur parasysh ideologjitë ndryshe. Drejtimi i subjektit me dy kryetar sipas Mehmetit mbetet sfidues në koordinimin e partisë.
“Vetë bashkimi kërkon shumë tolerancë, shumë bisedime, kështu që nuk mendoj se do të jetë aq e lehtë. Tani a do të sjellë kjo vlerë shtesë, kjo do të varet shumë nga mënyra se si do të organizohen brenda kësaj partie të ardhshme në kuptimin e harmonizimit të interesave dhe të pikëpamjeve, sepse këto katër ose pesë parti kanë botëkuptime për çështje të ndryshme, nuk janë të gjitha unike të themi në mendime ose në atë se si i shohin ngjarjet politike në vend, kështu që kjo do të jetë shumë me rëndësi të mund të themi se do të fitoj një pozitë të re, ose një mundësi të re për vetë VLEN-in… Nuk është aspak për tu habitur që do të ketë përçarje, do të ketë transfere majtas djathtas, disa shkojnë në opozitë, disa do të dalin në koalicionin qeverisës.”, u shpreh analisti i zhvillimeve politike Ibrahim Mehmeti.
Në raport me BDI-në, nuk priten ndryshime tek partia e Ahmetit. Mehmeti thotë se integristët kanë bërë ndryshime, dhe topi sipas tij mbetet në terrenin e VLEN-it.
“BDI edhe ashtu sillet si një parti e konsoliduar dhe mendoj se këtu nuk do të ketë diçka shumë të ndryshme. Por, gjithsesi ndryshimi do të jetë në mënyrën se si ballafaqohen këto dy blloqe. Tani do të kemi nga dy anët nga një parti dominonte, edhe pse do të kemi edhe parti jashtë, ASH e zotit Zijadin Sela, duket se do të mbetet jashtë këtyre koalicioneve, së paku jo si parti, në koalicion ata mund të hyjnë më vonë. Dhe, kjo do të krijoj një dinamikë të re dhe do të jetë një shans i ri. Por, përsëri e them VLEN do ta ka ketë më të vështirë siç e ka pasur deri më tani, për arsye se deri më tani kishte tolerancë nga elektorati i saj se ja jemi duke u përpjekur, jemi të ri si koalicion deri sa të koordinohemi. Në momentin që do të formohen si parti, pritjet do të jenë edhe më të mëdhaja dhe nëse ata nuk i plotësojnë këto pritje, atëherë do të kemi tema të reja.”, u shpreh analisti politike Ibrahim Mehmeti.
Thithja e elektoratit të BDI-së, Mehmeti thotë se nuk është i pamundur, por vetëm nëse VLEN ec para me çështjet shqiptare. Elektorati s’do ndryshojë perceptimin ndaj subjektit të ri, por me rëndësi për VLEN është përmbushja e premtimeve të dhëna si arsye për ta formuar koalicionin.
“Çështjet që janë tani tema në qeveri, çështja e gjuhës sigurisht se po. Tani si janë paraqitur, mendoj se nuk ju bën shumë favore të thuhet se nuk ekziston ligji ose anashkalimi i përdorimit të gjuhës edhe atje ku është e lejuar, e kështu me radhë. Këto çështje ata duhet ti tejkalojnë. Ka edhe shumë çështje të tjera që janë të dukshme për ne. Për shembull këto ligjet e ndryshme, ligji për balancuesin, i cili nuk ka kurrfarë mase, kontrolli real. Komisioni qeveritar nuk është kontroll, ai vetëm e konstaton situatën dhe thotë në rregull nuk e keni bë mirë dhe do ta shohim, ndoshta e përmirësojmë. Domethënë, ky është problemi.”, u shpreh Mehmeti.
Megjithatë shëndrimi i VLEN si parti minimizon zërat e ndryshëm për më shumë çështje, sulmet politike nga të gjitha anët, ndryshime të koalicionimeve, transfere të figurave politike midis partive. Kjo është e pakëndshme thotë Mehmeti dhe krijon turbullira tek qytetari për të bërë zgjedhjen e vërtetë. Tani qytetarët do ta kenë më lehtë ti lexojnë partitë se sa ato janë në interesin e tyre dhe e kanë më lehtë për të vendosur.

