Shkup, 3 prill, argument.mk/ – Zëvendëskryeministrja, Albana Koçiu, deklaroi sot se integrimi nuk është një rrugë vetëm me një drejtim, por një shkëmbim vlerash.
Zv/kryeministrja u shpreh në një postim në rrjetet sociale se, ntegrimi i qëndrueshëm në familjen europiane nuk ndërtohet vetëm mbi institucione funksionale, por edhe mbi identitete të forta.
Sipas saj, deri më sot narrativa e integrimit është ndërtuar kryesisht mbi përfitimet që vendi ynë do të marrë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, si fondet strukturore, tregu i përbashkët, lëvizja e lirë dhe standardet demokratike.
Koçiu theksoi se, Shqipëria nuk shkon në BE thjesht si vend përfitues, por si një kontribuese me identitet të fortë, me kokën lart, si një komb që respekton të shkuarën teksa ndërton të ardhmen, duke sjellë me vete një histori, traditë dhe kulturë të rrallë, vlera që pasurojnë vetë projektin europian.
“Pyetja nuk është më vetëm se çfarë përfitojmë ne nga BE, por edhe se çfarë i sjellim ne Evropës. Shqipëria nuk aderon në BE vetëm si një vend që aspiron standardet, por si një komb që sjell me vete histori, traditë dhe kulturë të rrallë, duke i dhënë kuptim vetë motos së BE-së, ‘Të bashkuar në diversitet’”, u shpreh Koçiu.
Ajo theksoi gjithashtu rolin e kulturës si një instrument i rëndësishëm zhvillimi dhe diplomacie.
“Kultura është një instrument i fuqishëm i zhvillimit dhe i diplomacisë, që ndikon drejtpërdrejt në forcimin e imazhit ndërkombëtar të vendit. Shqipëria shkon në BE me kokën lart si një komb që respekton të shkuarën, teksa ndërton të ardhmen”, deklaroi ajo.
Në vijim, Koçiu nënvizoi se, krahas progresit në reforma, narrativa e integrimit duhet të pasurohet me një dimension të ri.
Koçiu shtoi se, Shqipëria 2030 duhet të jetë plotësisht europiane në standarde, institucione dhe qeverisje dhe thellësisht shqiptare në identitet, kulturë dhe shpirt.
“Ndërsa qeveria po bën një punë të jashtëzakonshme në ecurinë e reformave, duhet që narrativa e integrimit të pasurohet me një dimension të ri. Integrimi i qëndrueshëm nuk ndërtohet vetëm mbi institucione funksionale, por edhe mbi identitete të forta. Ky është vizioni për Shqipërinë 2030: një Shqipëri plotësisht evropiane në standarde, institucione dhe qeverisje, dhe një Shqipëri thellësisht shqiptare në identitet, kulturë dhe shpirt”, përfundoi Koçiu.

