Tiranë, 18 nëntor, argument.mk/ – Kuvendi nisi sot seancën plenare për shqyrtimin në parim të projektbuxhetit për vitin 2027 dhe të paketës së projektligjeve fiskale.
Në nisje të seancës, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, iu referua progresraportit të fundit të Komisionit Evropian, duke deklaruar se nuk ka pasur vlerësim më të keq për parlamentin e Shqipërisë. Sipas saj, hapësira opozitare është ngushtuar.
“Asnjë mundësi për të krijuar komisione hetimore. Procesi legjislativ ligjor i bërë shpejt, i bërë keq, i bërë pa transparencë, i bërë pa konsultime”, tha ajo.
Tabaku u ndal edhe tek ligji i strehimit, që sipas saj është përfshirë për t’u diskutuar bashkë me buxhetin. Sipas saj mazhoranca ka shkelur rregulloren.
“Ju keni marrë dhe keni përfshirë ligjin e strehimit, është në gjykimin tuaj, por ju nuk mund ta shkelni rregulloren. Ligji i strehimit nuk ka qenë as në kalendar, nuk ka qenë as në program pune. Ligji i strehimit në qoftë se miratohej sot kalendari, nga dita e nesërme mund të fillonte dhe të diskutojë në komisionet parlamentare. Por ju e keni përfshirë sot në seancë duke shkelur rregulloren”, tha ajo.
Tabaku theksoi se “ka gjashtë vite, viti i shtatë i buxhetit, që rindërtimi është në çdo buxhet, ka shkuar 1.2 miliardë euro. 1.2 miliardë euro rindërtim me kontrata të cilat i keni dhënë pa i miratuar buxhetin e shtetit, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit”.
Sipas saj janë bërë tendera por nuk janë shpërndarë banesat.
“Sa herë që ka tërmet, këtu në Shqipëri ndodh pikërisht ky fenomen. Prezantohet në buxhet në vitin e parë dhe më pas nuk ka asnjë buxhet pasardhës që i mbulon fondet, sepse të gjitha, të gjitha kontratat janë në shkelje.
“Sa herë që ka fatkeqësi, ndodh pikërisht ky fenomen, përfshihet në buxhet dhe përfshihet vetëm për të bërë tendera. 1.2 miliardë euro ku kanë shkuar? Ku kanë shkuar 1.2 miliardë euro të cilat edhe sot vazhdoni dhe flisni për rindërtimin?”, tha ajo.
Tabaku nënvizoi se “Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë që rindërtimi ka qenë një nga aferat më të mëdha korruptive”.
Në replikë me Tabakun, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se procesi i strehimit të 10 mijë familjeve në të gjithë vendin nuk mund të vonohet më tej.
Gjatë diskutimeve në seancë plenare, Balla u shpreh se qytetarët presin që të hyjnë në banesat e tyre dhe se mazhoranca nuk mund të pranojë zvarritjen e mëtejshme të këtij procesi.
“Që ne të presim që 10 mijë familje në gjithë Shqipërinë të hyjnë në banesat e tyre, nuk ju presim edhe një minutë”, deklaroi Balla.
Ai iu drejtua gjithashtu deputetëve të opozitës, duke theksuar se qytetarët i kanë zgjedhur për të përfaqësuar interesat e tyre në Kuvend.
Në vijim të diskutimeve, deputetët votuan me 80 vota kundër propozimit për ndryshimin e rendit të ditës.

