Shkup, 7 tetor argument.mk/ – Një kërkesë e kahmotshme e banorëve të Çairit pritet të bëhet realitet. Qeveria ka miratuar rikonstruimin e pesë sallave sportive, në mesin e të cilave edhe salla sportive e SHF “Imri Elezi” në lagjen Dizhon të Çairit.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas Latifit, për rikonstruimin e sallës sportive të kësaj shkolle janë ndarë 100 mijë euro. Salla përdoret nga nxënësit e SHF “Imri Elezi”, si dhe nga disa klube sportive nga Çairi.
Latifi ka bërë të ditur se investimet në infrastrukturën shkollore në Çair do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Ai ka paralajmëruar një investim prej rreth 50 mijë eurosh në SHF “Ismail Qemali”, i cili do të shfrytëzohet për zëvendësimin e dritareve të objektit shkollor.
“Këto janë investime konkrete për fëmijët e Çairit dhe për krijimin e kushteve më të mira për edukimin dhe zhvillimin e tyre”, ka shkruar Latifi.
Ai ka theksuar se investimet në Çair do të vazhdojnë edhe më tej, duke paralajmëruar projekte të reja në këtë komunë.

