Tiranë, 16 nëntor, argument.mk/ – Shqipëria synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e klimës dhe mjedisit përmes një Memorandumi Mirëkuptimi me Universitetin Duke, një prej institucioneve akademike dhe kërkimore prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj tha sot se “memorandumi synon të sjellë ekspertizë shkencore dhe akademike në mbështetje të politikave dhe reformave klimatike në vend, si dhe të procesit të integrimit evropian”.
Ky bashkëpunim parashikon angazhimin e drejtpërdrejtë të ekspertëve dhe studiuesve të Universitetit Duke me institucionet shqiptare, duke krijuar mundësi për shkëmbim njohurish dhe përvojash në fushën e mbrojtjes së mjedisit.
“Partneriteti synon të ndërthurë kërkimin shkencor me hartimin dhe zbatimin e politikave publike, në funksion të objektivave të Shqipërisë për një të ardhme më të qëndrueshme dhe të gjelbër”, theksoi Jaupaj.
Bashkëpunimi me Universitetin Duke në SHBA përbën një tjetër hap në zgjerimin e partneriteteve ndërkombëtare të Shqipërisë, me fokus forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përafrimin e politikave mjedisore me standardet e Bashkimit Evropian.

