Shkup, 25 shtator, argument.mk/ – Kryetarja e Unionit të grave të VMRO‑DPMNE, Marija Miteva, në një paraqitje në emisionin “Analiza” në TV 24, u ndal te vizita e delegacionit maqedonas në SHBA dhe takimet e realizuara në Uashington dhe Nju Jork.
Miteva vlerësoi se vizita është e rëndësishme për thellimin e marrëdhënieve partneriteti me SHBA, si dhe për hapjen e mundësive për investime të reja dhe bashkëpunim ekonomik. Sipas saj, takimet me përfaqësues amerikanë tregojnë se Maqedonia e Veriut perceptohet si partner serioz.
Ajo theksoi se delegacioni ka pasur takime në disa nivele – me kongresmenë në Uashington, me përfaqësues të Departamentit të Shtetit në Nju Jork, si dhe me komunitetin e biznesit dhe diasporën maqedonase.
“Është me rëndësi nëse kemi prani politike, nëse jemi një nga vendet që SHBA e sheh si partner serioz – jemi, nëse kemi tentuar të ndërtojmë miqësi dhe të mundësojmë investime të ardhshme edhe në planin ekonomik – po, dhe nëse kjo Qeveri punon ndershëm në pjesën e marrëdhënieve diplomatike – me siguri po”, tha Miteva.
Sa i përket integrimeve evropiane, Miteva u ndal te pengesat aktuale në rrugën e vendit drejt BE-së. Ajo mendon se gjendja është pasojë e, siç i vlerësoi, politikave të gabuara të pushtetit të mëparshëm.
Miteva porositi se duhet të vazhdojë dialogu me partnerët evropianë, të prezantohen pozicionet e shtetit dhe qytetarëve dhe të kërkohet zgjidhje për vazhdimin e procesit eurointegrues, duke mbrojtur, siç theksoi, interesat kombëtare.
“Ne jemi politikanë të vetëdijshëm se duhet të bëjmë diçka për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij procesi me mbrojtjen e interesave kombëtare maqedonase dhe për këtë arsye do të vazhdojmë në mënyrë të vazhdueshme të kërkojmë dialog”, theksoi Miteva.

