Shkup, 10 nëntor – Nga 1 janari 2026, çdo kompani që përdor energji nga burime fosile për prodhim duhet të paguajë një taksë të re që quhet ‘taksë e karbonit’. Kjo taksë do të ndikojë sidomos në prodhuesit e energjisë dhe në industrinë e rëndë. Por gjithsesi se kjo taksë mund të prek edhe qytetarët në formën e çmimeve më të larta për energjinë.
Për të shmangur këtë taksë, kompanitë duhet të dëshmojnë se përdorin energji elektrike nga burime të ripërtëritshme, por në vend ende mungon një sistem që konfirmon se energjia e përdorur në prodhim vjen nga burime të tilla. Nga ministria e energjetikës, pranojnë që vendi ka ngecur në këtë fushë, ndërsa theksojnë se qeveria është duke hartuar projekt-ligjet e nevojshme.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë, janë ndër vendet më të prekura, sepse gatishmëria e tyre për të respektuar rregulloren është e kufizuar. Fatkeqësisht, vitet e kaluara është bërë shumë pak për të siguruar kushtet e nevojshme dhe tani ka mbetur pak kohë për të përmbushur plotësisht kushtet deri më 1 janar 2026. Ministria e Energjisë është duke punuar në projektligjin për energjinë, ndërsa parashihen edhe veprimet e MEMO-s dhe MEPSO-së për lidhjen e tregjeve.”, thonë nga ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale.
Ndërkohë, Ministria e Mjedisit do të duhet të vendos një sistem të tregtimit të emetimeve, sipas Direktivës ETS të BE-së.
“Sipas këtij projekt-ligji që do të definohet tatimi në të ardhmen, në bashkëpunim të Ministrisë së Mjedisit, Drejtorisë së Akreditimeve dhe Doganave, kompanitë që eksportojnë produktet e tyre, kompanitë që eksportojnë produktet e tyre do të paguajnë tatim në bazë të asaj se sa prodhojnë dioksid karbon gjatë prodhimit të produkteve të tyre, sidomos prodhuesit të mëdhenj të çelikut, hekurit, aluminit. Për momentin jemi në fazën fillestare, projekt-ligji është gati, por nuk do të thotë që është i përfunduar, ai do të diskutohet, së pari para qeverisë, pastaj edhe në Kuvend para deputetëve.”, tha zëdhënësi i ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naim Vrenezi.
Sektori i biznesit e sheh të patjetërsueshme përshtatjen me trendet dhe standardet globale, por presin edhe ndihmë nga shteti.
“Neve duam ta ruajmë ekonominë tonë, për shkak se e dimë që eksporti është thelbi i çdo ekonomie, sa më tepër eksportojmë aq më të fortë e kemi ekonominë, ndërsa këto mekanizma mbrojtës të natyrës janë një pengesë për të cilën ne duhet të kemi një qasje proaktive, pra para se të fillojë implementimi i të njëjtave të implementohen iniciativa të ndryshme, metodologji dhe teknologji të reja të prodhimit, me qëllim që edhe kjo normë e raportimi të gjurmës së karbonit të jetë sa më e ulët, dhe kështu përfitimi do të jetë i shumë anshëm, në njërën anë kompanitë do të arrijnë ti ngrisin kapacitet në uljen e kostove të prodhimit të tyre, ndërkaq në anën tjetër do të ketë përfitim edhe ambienti ku jetojmë ne.”, tha drejtori ekzekutiv në OEMVP, Durim Zeqiri.
Përveç biznesit, kjo taksë mund të godet edhe mbi xhepin e qytetarëve, andaj është e nevojshme me kohë që të vendosen mekanizma mbrojtës.
“Të gjitha taksat, të gjitha investimet dhe gjithçka që ndodh në sistemin energjetik në fund të ditës reflektohen në faturat përfundimtare të qytetarëve të cilat i marrin, por do duheshte të gjenden mekanizma konkrete, me të cilat do të zbuteshte i gjithë efekti që do të vinte nga vendosja e taksës ekologjike.”, tha Merita Dema, anëtare e KRE-së.
Ndërkohë, Banka Botërore i bëri thirrje Maqedonisë që ta miratojë këtë taksë sa më shpejt dhe të mbledhë të ardhura të konsiderueshme të parashikuara deri në 730 milionë euro në vit.