Shkup, 27 korrik, Zhurnal.mk – Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore (NPRS) i ka hedhur poshtë pretendimet e NP “Komunalec” – Gostivar se prej dy vitesh pret pëlqim për vendosjen e infrastrukturës së ujësjellësit, duke theksuar se arsyeja për mosdhënien e lejes është mosrespektimi i procedurave ligjore nga ana e Komunës së Gostivarit.
Sipas NPRS, në shkurt të vitit 2024 Komuna e Gostivarit ka dorëzuar kërkesë për rrjet ujësjellësi, pas së cilës më 26 prill është përgatitur llogaritja për pagesë në vlerë prej 16.588 denarësh. Kjo shumë, siç theksohet, nuk është paguar asnjëherë, dhe për këtë arsye nuk ka mundur të lëshohet pëlqimi.
Përveç kësaj, në mars 2024 është dorëzuar edhe një kërkesë tjetër për tubacion furnizimi me ujë. Edhe pse është përgatitur procesverbal nga organi mbikëqyrës, Komuna e Gostivarit – sipas NPRS – nuk ka dorëzuar dokumentacionin teknik të nevojshëm për marrjen e lejes.
Ndërmarrja thekson se pas këtyre dy kërkesave nuk është dorëzuar asnjë kërkesë e re, pavarësisht takimeve të shumta mes dy institucioneve. Po ashtu, rikujtohet se nga fillimi i vitit 2026 të gjitha procedurat administrative zhvillohen elektronikisht, dhe në këtë periudhë nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga Komuna e Gostivarit për ujësjellës.
Reagimi i NPRS vjen pasi më herët NP “Komunalec” – Gostivar njoftoi se rreth 600 metra të trasesë së ujësjellësit nuk mund të përfundojnë sepse prej dy vitesh presin pëlqim nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore.

