Shkup, 18 nëntor, argument.mk/ – Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore z. Sami Morina, dhe drejtori ekzekutiv, z. Durim Zeqiri, morën pjesë në seminarin akademik “Zhvillimi i Stafit 2026”, të organizuar nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup.
Seminari akademik kishte në fokus avancimin e mësimdhënies, digjitalizimin dhe përafrimin e programeve studimore me kërkesat e tregut të punës.
Në kuadër të këtij aktiviteti, z. Sami Morina ishte i ftuar si folës në sesionin e katërt, ku u trajtua tema e përshtatjes së kurrikulave akademike me nevojat e tregut të punës. Para stafit akademik, dekanëve, prodekanëve dhe drejtuesve të universitetit, ai prezantoi perspektivën e komunitetit të biznesit mbi kompetencat dhe shkathtësitë praktike që kërkohen nga të diplomuarit në tregun bashkëkohor të punës.
Gjatë fjalës së tij, z. Morina theksoi rëndësinë e ndërtimit të një lidhjeje më të drejtpërdrejtë ndërmjet arsimit të lartë dhe sektorit të biznesit, duke vënë në pah nevojën që programet studimore të pasqyrojnë më mirë kërkesat reale të kompanive. Në këtë drejtim, ai veçoi rëndësinë e përfshirjes së rasteve konkrete studimore, zhvillimit të të menduarit kritik dhe krijimit të mundësive për përvojë praktike profesionale gjatë studimeve.
Njëkohësisht, ai prezantoi angazhimin e OEMVP-së për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe komunitetit të biznesit, me qëllim që përmes një qasjeje të përbashkët të kontribuohet në përgatitjen e kuadrove të reja, të afta dhe konkurruese, në përputhje me nevojat e ekonomisë.
Pjesëmarrja e tyre në këtë aktivitet dëshmon rëndësinë që Oda i kushton krijimit të sinergjisë ndërmjet botës akademike dhe asaj ekonomike. Përmes dialogut dhe bashkëpunimit konkret me institucionet e arsimit të lartë, OEMVP kontribuon në formësimin e programeve studimore që jo vetëm ofrojnë njohuri teorike, por përgatisin profesionistë me aftësi dhe kompetenca që i përgjigjen drejtpërdrejt sfidave dhe dinamikave të tregut të punës.

