Shkup, 27 tetor, argument.mk/ – Kryetarja e Gjykatës Themelore Penale të Shkupit – gjykatësja Daniela Dimovska, udhëheqësja e Departamentit të Specializuar Gjyqësor përgjegjës për gjykimin e veprave penale në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit – gjykatësja Fanka Jançuleva – Mihailovska dhe Ilija Trpkov – gjykatës në departamentin e specializuar gjyqësor përgjegjës për gjykimin e veprave penale në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit, nga dje marrin pjesë në konferencën dy ditore rajonale mbi reformat në gjyqësor dhe përballjen me krimin e organizuar dhe korrupsionin, e cila po mbahet në Budvë, Mal të Zi.
Konferencën me titull “Nga letra në praktikë: Si të japin reformat në gjyqësor rezultate në lëndët e krimit të organizuar dhe korrupsionit” e organizon Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në kuadër të Projektit rajonal për vëzhgimin e proceseve gjyqësore në Ballkanin Perëndimor, me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian.
“Në kuadër të konferencës, në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve gjyqësore nga Ballkani Perëndimor, u prezantua Raporti i OSBE-së mbi vëzhgimin e gjykimeve në Ballkanin Perëndimor. Në të u vunë re disa praktika pozitive në punën e Gjykatës Themelore Penale të Shkupit, veçanërisht në fushën e transparencës dhe komunikimit me publikun”, informoi Gjykata Themelore Penale e Shkupit.
Raporti, siç thuhet në kumtesë, thekson komunikimin e rregullt të gjykatës me publikun, përmes publikimit të kumtesave, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve dhe qytetarëve. Fillimi i publikimit të një buletini tremujor me të dhëna statistikore, përmbledhje të vendimeve të rëndësishme dhe informacione mbi aktivitetet për të promovuar transparencën gjithashtu vihet re si hap pozitiv. Theksohet veçanërisht se gjykata është institucioni i vetëm në rrjetin e gjykatave me një zyrë funksionale të marrëdhënieve me publikun. Informimi për median nga shtatori 2026 u vlerësua gjithashtu pozitivisht si një praktikë për promovimin e transparencës, digjitalizimit dhe efikasitetit në operacione.
Gjithashtu, theksohet rëndësia e bashkëpunimit të vazhdueshëm me mediat dhe me projektin e OSBE-së për vëzhgimin e proceseve gjyqësore.
Pjesëmarrja e gjykatësve në konferencë përfaqëson mundësi për shkëmbim të përvojave dhe praktikave me institucionet gjyqësore nga rajoni, si dhe për diskutim për sfidat në zbatimin e reformave, transparencës në lëndët me interes të ndërsjellë dhe përparimit të efikasitetit të sistemit gjyqësor.
Nga Gjykata Themelore Penale Shkup theksojnë se vazhdojnë me aktivitetet për përparimin e transparencës, komunikimin e hapur me publikun dhe forcimin e besimit në gjyqësor.

